Heshtja e Gjykatës për lëndën e ish-gjykatësit të akuzuar për ushtrim ndikimi, Rafet Ismajli

Prokuroria Speciale me 4 mars 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-gjykatësit Rafet Ismajli dhe ish-policit Blerim Gashi, për veprën penale ushtrim ndikimi.

Me të mbërritur në Gjykatë kjo lëndë në mënyrë automatike i ishte ndarë nga sistemi SMIL gjykatësit Arben Hoti.

Por gjykatësi Hoti, ishte gjyqtar në procedurën paraprake në këtë çështje penale ku i kishte caktuar edhe masën e paraburgimit të akuzuarve dhe pas ngritjes së akuzës nuk mund të procedojë tutje më lëndën.

KALLXO.com nga data 24 mars, pastaj me datën 31 mars, 2 prill e 5 maj në vazhdimësi i ka dërguar Gjykatës së Prishtinës pyetje lidhur me këtë lëndë penale, se a është mbajtur shqyrtimi fillestar dhe si janë deklaruar të akuzuarit, nëse të njëjtit kanë parashtruar kërkesën për hedhjen e akuzës. Mirëpo, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk kemi marrë përgjigje në pyetjet e dërguara.

Aktakuza thotë se i akuzuari Ismaili, me datën 28 gusht 2019, në veturën e dëshmitarit F. Z., derisa ishin duke udhëtuar nga Skenderaj për në Prishtinë, ka marrë 1,500 euro me qëllim që i njëjti të ushtrojë ndikim te kryetari i Gjykatës së Mitrovicës.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Ismaili, kishte për qëllim të ushtrojë ndikim te kreu i gjykatës së Mitrovicës për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim prej 4 vjet e 10 muaj ndaj dëshmitarit F. Z.

Ndërsa për ish-zyrtarin policor Blerim Gashi, Prokuroria thotë se me datën 28 gusht 2019, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar kishte marrë dobinë pasurore në shumë prej 1000 euro nga dëshmitari F. Z., me pretendimin se i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim te gjyqtarët e Gjykatës Supreme.

Sipas Prokurorisë me këto veprime secili nga të akuzuarit ka kryer veprën penale ushtrim i ndikimit.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:

LINK

LINK