Gjykata e Apelit çon në burg gjykatësin dhe policin, të arrestuar në Skenderaj

Gjykata e Apelit ka vendosur sot që të pandehurit  – gjykatësi Rafet Ismaili dhe polici Blerim Gashi, të mbahen në paraburgim prej një muaji.

Sipas vendimit të Apelit, paraburgimi të dyshuarve do t’u llogaritet nga data 26.09.2019 deri më 26.10.2019.

Kështu, Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale kundër aktvendimit të Gjykatës së Prishtinës të datës 27.09.2019, sipas të cilit, të pandehurve në fjalë, u ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Gjykatësi Rafet Ismaili po dyshohet se në cilësi të personit zyrtar, konkretisht gjyqtarit të Gjykatës së Mitrovicës, e ka kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa Blerim Gashi në cilësi të pjesëtarit të Policisë, i ka kryer veprat penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje e ryshfetit.

“Gjykata e Apelit, pasi i ka vlerësuar të gjitha rrethanat,  konsideron se gjykata e shkallës së parë, nuk ka vepruar drejtë kur të dyshuarve ua ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, duke mos arsyetuar shkaqet që kanë sjell deri te marrja e një vendimi të tillë. Apeli vlerëson se në rastin konkret, janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore, për caktimin e paraburgimit”, njofton Gjykata e Apelit.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar lidhur me këtë rast.

Arrestohet Sali Berisha, gjykatës në Pejë

Gjykata vendos masën për gjyqtarin dhe policin e arrestuar

www.kallxo.com