I akuzuari Ekrem Bajroviq, seanca 26.01.2024, Foto: Jetlira Buzhala/KALLXO.com

Rrëfimet e dy dëshmitarëve në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Ekrem Bajroviq

Ekrem Bajroviq, ish-pjesëtar i forcave policore të Serbisë, i akuzuar se ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës është ballafaquar me rrëfimin e dëshmitarëve, Rabije Elshani dhe Skënder Rracaj.

Elshani dhe Rracaj, që të dy dëshmitarë të prokurorisë dëshmuan lidhur me periudhën e kohës së luftës për vitin 1998-1999.

Rabije Elshani e Skënder Rracaj, pohuan ta kenë parë të akuzuarin, Ekrem Bajroviq në mesin e policëve dhe ushtrisë serbe gjatë kohës së luftës.

Dëshmitarja Rabije Elshani tha se pasi fshati ku ajo jetonte ishte rrethuar nga policët serb, të njëjtit ishin nisur me traktor së bashku me familjarë të saj që të largohen për në drejtim të Shqipërisë.

“Burri jem u kanë mbrapa këtij traktorit të prishtë që u kanë, kemi nejt kogja shumë në kolonë. Policia i kanë thanë Fazlisë ‘a e dini rrugën për me shku për Shqipëri’, ai e ka zgjidh sajlën sepse menzi s’pritshim me marrë rrugën për dikun se kishte shumë policë edhe na i kem pa policët t`u hallakat njerëzit dhe i merrshin njerëzit që rrishin në kolona. Mua ma kanë marr dukatin, gruaja e Fazlisë e ka pas shaminë n`kry ja kanë hek shaminë. Aty e kam pa që u kanë edhe kojshia jem Ekrem Bajroviq si polic”- tha Elshani.

Kurse dëshmitari Rracaj tha që pos që e kishte takuar tashmë të akuzuarin, i njëjti e kishte sharë e ofenduar në stacionin policor në Gurakovc të Istogut.

“Kur kam mbërri te stacioni i autobusëve që është në drejtimin për në Klinë m’kanë rrethu dy kerre të Policisë ku në mesin e tyre u kanë Ekrem Bajroviq. M’kanë arrestu edhe m’kanë çu në stacion në Gurakovc, m’kanë fy, m’kanë rreh edhe mbas një kohe m’kanë thanë duhet me t’çu për Istog”- tha dëshmitari i dytë, Skënder Rracaj.

I njëjti tha se më pas ishte dërguar në burgjet e Serbisë dhe ishte dënuar gjoja si terrorist me 6 vite dënim me burgim.

“Kam qenë i burgosur edhe dënuar. Më 16 nëntor të vitit 1998 jam dënuar me 6 vite burg, këta m’kanë akuzu si terrorist”- tha Rracaj.

I njëjti tha se nga këto tortura përdor terapi për qetësim.

Rasti është duke u gjykuar nga gjyqtarët e Departamentit Special, Mentor Bajraktari, Kujtim Krasniqi dhe Arben Hoti.

Çka thotë dosja e Prokurorisë për Ekrem Bajroviqin?

Sipas aktakuzës, gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, në Istog dhe në fshatrat përreth, Bajroviq ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës dhe trajtimit në mënyrë çnjerëzore të popullatës civile.

Këto veprime akuzohet t’i ketë kryer si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe në mënyrë individuale si dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë.

Aktakuza thotë se në fshatin Staradan më 8 maj të vitit 1999 kolona e popullsisë civile që po shkonte në drejtim të Shqipërisë ishte ndalur nga këto forca policore dhe ushtarake serbe, pjesë e të cilave ishte edhe Bajroviq, me ç’rast ishin ndarë djemtë e burrat nga pjesa tjetër e grupit.

Fillimisht atyre u ishin marrë paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e më pas ishin vendosur në oborrin e shtëpisë së një personi ku ishin renditur me radhë, me duar të ngritura lart dhe me fytyrë nga muri i oborrit, me ç’rast forcat serbe i kishin sulmuar fizikisht dhe rrahur me mjete të ndryshme, thuhet në aktakuzë.

Gjatë kësaj kohe, sipas aktakuzës, forcat policore dhe ushtarake serbe u ishin drejtuar me fjalët: “Ku e keni NATO-n?” e “Ku e keni UÇK-në?”.

Aktakuza thotë se më pas ishin dërguar në një shtëpi, në të cilën kishin pushkatuar së paku 16 prej civilëve shqiptarë. Vetëm një prej tyre kishte mbijetuar, ndonëse i plagosur.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, i akuzuari më 7 maj të vitit 1999 kishte marrë pjesë në arrestimin, kidnapimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë, të cilët fillimisht i kishin ndarë nga kolona dhe i kishin marrë të gjitha paratë e sendet me vlerë.

Më pas këta persona i kishin dërguar në Gurakovc, në një lokal, në të cilin i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore e më pas i kishin transferuar në stacionin policor në Gurakovc.

Sipas aktakuzës, kolonës i ka prirë i akuzuari Ekrem Bajroviq, i cili kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut një person në anën e djathtë nën brinjë.

Kurse më pas, sipas aktakuzës, pas vendosjes së civilëve në stacion policor, i kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore, dhunë psikike, duke i kanosur për jetë. Më tej në aktakuzë thuhet se përveç lëndimeve të rënda trupore u janë shkaktuar trauma dhe pasoja në shëndet.

Sipas aktakuzës, këto veprime sanksionohen sipas ligjeve vendore si dhe Konventës Ndërkombëtare të Gjenevës.

Aktakuzën po e përfaqëson prokurori special Ilir Morina, por që në seancën e së mërkurës më datë 06.03.2024 Morina është zëvendësuar nga prokurori Atdhe Dema.

Raportimet e KALLXO – LINK