Foto-ilustrim

Gjen Arsenal Armësh në Shtëpinë e Blerë

Dy ditë më parë Forcat e Sigurisë në Kosovë kanë marrë një kërkesë për kontrollim të një shtëpie të sapoblerë në Klinë ku edhe kanë gjetur dhe konfiskuar njëmbëdhjetë granata dore, një kallashnikov me nëntë karikatorë, 470 fishekë, një kilogram eksploziv plastik dhe gjashtë copë detektorë elektrikë.

Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, por në polici është raportuar gjatë ditës së djeshme.

“Rreth orës 11:00 të së hënës një person ka raportuar se ka blerë një shtëpi nga një shtetas serb me inicialet F.V dhe ka kërkuar nga FSK-ja që të bëj një kontrollim në oborrin e shtëpisë së sapoblerë pasi që dyshonte se mund të kishte lëndë shpërthyese,” thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

KALLXO.com kontaktoi zëdhënësin e Policisë së Rajonit të Pejës, Xhevat Ibrën i cili tha se qytetari ka lajmëruar rastin, pasi ka mundur të hasë në ndonjë armë, ose eksploziv.

“Rasti ka ndodhur më 31 maj por është raportuar gjatë ditës së martë rreth orës 13:30. FSK-ja ka ndërmarrë masat e nevojshme lidhur me këtë rast dhe se vepra është klasifikuar si mbajtje e paautorizuar e armëve,” tha Ibra.

Ai shtoi se me këtë rast janë marrë hetuesit kompetentë, ndërsa policia do të ngre kallëzim penal ndaj të dyshuarit.