Alma Kelmendi, përkthyesja shqiptare e Walkerit, e përlotur i kujton skenat që i panë në Reçak
Gjatë intervistës me ish-ambasadorin William Walker, drejtuesja e emisionit “Kallxo Përnime” Jeta Xharra, e përfundoi diskutimin duke treguar mirënjohje për kontributin e madh të përkthyesve gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Sot, zotëri Walker, me të drejtë po merrni lule e mirënjohje, por më lejoni t’ua përkujtoj se Walker ishte i shoqëruar nga një përkthyese e veçantë, Alma Kelmendi, që iu bëri ballë shumë presioneve nga shërbimet e ndryshme të Serbisë, që i kishin në listë përkthyesit për t’i marrë në pyetje”, tha Xharra duke e njoftuar publikun me Kelmendin e cila ishte e ulur në mesin e mbi 100 qytetarëve që kishin ardhur ta përcillnin bisedën me Walkerin në “Reporting House”.
Kjo solli deri te momenti që Walker e ftoi Kelmendin të dilte në skenë dhe nga aty ajo filloi të rrëfente përvojën e gjatë të punës me ambasadorin amerikan.
Kelmendi shpjegoi se si u ndje kur i pa kufomat e 16 janarit 1999.
Ato ishin skenat më të rënda që kishin përjetuar ambasadori Walker dhe ajo në Kosovë.
“Por, ky zotëria këtu (William Walker), më tha: Alma, unë dhe ti kemi një mision për të bërë. Ne duhet t’i inspektojmë të gjitha kufomat, sepse unë duhet të dëshmoj çka kam parë, andaj edhe duhet t’i shoh të gjitha, 45 kufomat e të vrarëve”- ka rrëfyer Alma. Ashtu edhe kishte ndodhur!
Përkundër faktit se Alma kishte një djalë vetëm tre vjeç, ajo me vendosmëri zgjodhi t’i bashkohej misionit me ambasadorin amerikan Walker, duke e vazhduar këtë mision edhe sot pasi kanë kaluar hiç më pak se 26 vjet.
“Ishte diçka që nuk do ta harroj kurrë, kurrë! Atë që dëshmuan sytë e mi dhe sytë e anëtarëve të tjerë të Misionit të KMV. Ajo çka pamë është që njerëzit ishin qëlluar nga një distancë e afërt, ata ishin fëmijë, zonja, pleq, burra, gra, këta nuk ishin njerëzit e UÇK-së, këta ishin fshatarë të thjeshtë”- thotë Alma deri sa shpjegon tmerrin që pa me sytë e saj gjatë kohës kur i verifikuan kufomat në Reçak.
Alma tregoi se çfarë i tha ambasadori Walker, pas asaj që panë në masakrën e Reçakut.
“Ky Heroi ynë (William Walker) më tha: ti rri aty më larg tash zonjë, sepse ti e ke bërë punën tende. Dhe ai vazhdoi me fjalinë e tij më të famshme: ‘ajo çfarë kam parë sot është krim kundër njerëzimit’”- kujton Alma nën emocione.
Derisa lotët e saj vazhdonin të rrjedhin kur fliste për ambasadorin Walker, ajo tha se “ka bërë një mrekulli, diçka që askush nuk kishte guxuar as ta mendojë, por ai e bëri atë”.
“Ambasadori Walker ka qenë, është dhe do të jetë një hero për të gjithë qytetarët e Kosovës, madje edhe për fëmijët tanë, djalin tim që është me mua sot e që atëherë ishte i vogël”- tha Alma.
Kur Walker kishte parë trupat e të vrarëve, në prononcimin e tij të parë para mediave kishte thënë: “Fatkeqësisht nuk kam fjalë për të përshkruar indinjatën time personale ose atë të të gjithë atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet vetëm si një mizori e papërshkrueshme”.
“Reporting House” është muze i rezistencës paqësore dhe të armatosur që është incuar nga BIRN (bashkëprodhues i Kallxo.com). Ky muze ka mbledhur mbi 30 orë arkiva nga periudha e të 90-tave për ta dokumentuar përvojën e civilëve në Kosovë dhe u hap me 10 qershor 2024 me rastin e 25 vjetorit të përfundimit të bombardimeve të NATO-së. Muzeu vazhdon të jetë i hapur çdo ditë nga e marta deri të shtunën nga ora 10:00-18:00 dhe hyrja është falas për vizitoret.
Në këtë muze shfaqen reportazhet nga masakra e Reçakut qe i kishte transmetuar BBC dhe NDR/Das Ertste, televizioni publik anglez dhe gjerman.