Thaçi Përmend Protesta Para Zyrës së BE-së

Në mbledhjen e qeverisë ministri i Jashtëm Hashim Thaçi kërkoi që BE-ja ta ndërrojë fjalorin ndaj Kosovës.

Këshilli i Evropës dje publikoi raportet për shtetet që synojnë t’i bashkohen BE-së, ndërsa teksa vuri në dukje përparimet e Kosovës, i bëri thirrje asaj që të përmbushë të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Duke u bazuar në këtë raport, Thaçi kërkoi që të ndryshojë gjuha e komunikimit të BE-së me Kosovën.

“BE-ja duhet t’i japë fund këtij fjalori, Kosova duhet të jetë optimiste, drita po shihet në fund të tunelit, ne po e shohim, qorra nuk jemi. Kështu që me të drejtë çdo qytetar i Kosovës do të ndihet i zhgënjyer por edhe i fyer. Dhe me të drejtë duhet të protestohet para Zyrës së BE-së në Kosovë nëse na japin vendimin për shtyrje të liberalizimit” tha Thaçi.

Thaçi tha më tutje se Kosovës i janë kërkuar standarde më të larta për lëvizje të lirë.

“Ndonjëherë janë kërkuar standarde më të larta për Kosovën në krahasim me vendet e rajonit. Kosova ka kryer me përgjegjësinë më të lartë te gjitha përgjegjësitë ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Në këtë frymë ne kemi mbajtur disponimin, shpresën me besimin e qytetarëve të Kosovës. Nuk ka qytetarë në rajon që janë më pro BE sesa qytetarët e Kosovës,” tha Thaçi.

Edhe Kryeministri Mustafa bëri thirrje që liberalizimi të mos vonohet.

“Çështjet e percepcionit ne nuk mund t’i masim me parametra, por si rekomandime i kemi përmbushë të gjitha dhe vlerësojmë që BE-ja nuk ka asnjë arsye për vonesë të liberalizimit të vizave,” tha Mustafa.

Ai bëri të ditur se pas lëshimit të raportit nga Këshilli Evropian është takuar me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar.

“Më ka njoftuar që dokumenti që është dhënë dje nuk është dokument që vlerëson çështjet e liberalizimit të vizave dhe dokumenti i plotësimit të kushteve të liberalizimit të vizave do të jepet në ditët në vijim. Dhe natyrisht i kam shprehur shqetësimet e mia për vonesë,” tha Mustafa.

Ministri i Jashtëm Thaçi, tregoi arsyet pse nuk duhet të vonohet lejimi i kosovarëve për lëvizje pa viza në Zonën Schengen.

“Kjo vonesë paraqet rreziqe të ndryshme të Kosovës, duke nxitur elemente të radikalizmit fetar dhe ekstremizmit politik. Po nxit migrimin e qytetarëve të Kosovës drejt Evropës. Secili qytetar i Kosovës mund të trokasë në shtetet e rajonit për me apliku për dyshtetësi. Kjo do të nxitë reagime të ndryshme në agjendat politike,” tha Thaçi.

Kryeministri Mustafa përmendi standardet e dyfishta.

“Ne mund të jetojmë pa liberalizim të vizave, por qytetari do të privohet nga një e drejtë themelore. Ne demokracinë nuk e shohim në nivel të standardeve te dyfishta, por standarde te barabarta për secilin shtet,” tha Mustafa.

Për raportin e Këshillit të Evropës në mbledhjen e qeverisë foli edhe ministri i Integrimit Bekim Çollaku.

“Liberalizimi i vizave duhet të bëhet pa vonesa. Qeveria e Kosovës u bën thirrje shteteve anëtare të BE-së t’i ofrojnë Kosovës mbështetje. Qeveria vlerëson thirrjen e Këshillit për të kaluar situatën politike në Kuvend,” tha Çollaku.

Aktualisht në mbledhjen e qeverisë po shqyrtohen pikat e rendit të ditës.