BE-ja në kërkim të një ilaçi ndaj varësisë së fëmijëve dhe adoleshentëve ndaj telefonave mobilë

Mes problemeve të mungesës dhe obsesioneve dixhitale, përpjekjet globale për ta frenuar ndikimin e mediave sociale tek të rinjtë po fitojnë momentum, ndërkohë që qeveritë dhe gjigantët e teknologjisë po përpiqen me shumë vështirësi për ta ruajtur mirëqenien e një brezi të mbërthyer pas ekraneve.

Sytë me vezullim, përgjigjet njërrokëshe dhe një breshëri e vazhdueshme e njoftimeve të telefonave të mençur janë bërë pamje të zakonshme që prindërit në mbarë botën i vënë re në zakonet e fëmijëve të tyre në internet.

Përballja kundër zakoneve të tilla është gjithashtu një sfidë për të cilën foli nga përvoja e saj Věra Jourová, Komisionerja Evropiane për Transparencën, e cila ndau mendimin e saj për zakonet online të telefonit të nipit të saj 10-vjeçar gjatë ngjarjes së Parlamentit Evropian në qershor. Kur nipi i saj është para ekranit, asgjë rreth tij nuk ekziston më, madje as gjyshja e tij, thotë Jourová.

Çfarë po bëjnë qeveritë në mbarë botën për këtë?

Qeveritë në mbarë botën kanë filluar t’i trajtojnë efektet potencialisht të dëmshme të platformave kryesore të mediave sociale si Facebook, Instagram dhe TikTok tek përdoruesit më të rinj.

Kina synon ta kufizojë kohën para ekranit për fëmijët nën moshën tetë vjeç në 40 minuta, ndërsa shteti amerikan i Utah prezantoi një orë policore dixhitale dhe kërkoi pëlqimin e prindërve për përdorimin e mediave sociale nga të miturit.

Franca po e shtyn përpara një rregull për futjen e kontrollit prindëror në pajisje, ndërsa BE-ja është gati ta zbatojë Aktin e Shërbimeve Dixhitale (DSA), duke i detyruar platformat si TikTok, Facebook dhe YouTube t’i hapin sistemet e tyre të kontrollit dhe ta sigurojnë mbrojtjen e fëmijëve.

A ka një lidhje reale midis mediave sociale dhe shëndetit mendor të adoleshentëve?

Megjithatë, lidhja e saktë midis përdorimit të mediave sociale dhe shëndetit mendor të adoleshentëve dhe fëmijëve është ende në debatim e sipër.

Ligji i lartpërmendur i BE-së për DSA, i cili hyn në fuqi në gusht, kërkon që platformat e përmendura të demonstrojnë përpjekje për ta parandaluar dëmtimin e të miturve, me gjoba të mundshme deri në gjashtë përqind të të ardhurave të tyre globale për mospërputhje me rregullat e ligjit.

Gjigantët e teknologjisë arrijnë ta tërheqin vëmendjen dhe ta zgjasin angazhimin e përdoruesve duke imituar tërheqjen e makinerive të fatit. Ndërsa të rriturit luftojnë me këtë joshje dixhitale, ka shqetësime për ndikimin negativ tek përdoruesit më të rinj, duke çuar në çështje të tilla si ankthi, depresioni, shqetësimet e pamjes së trupit dhe fokusi i reduktuar.

Sondazhet e fundit të shëndetit mendor në SHBA tregojnë një rritje të pakënaqësisë së adoleshentëve gjatë 15 viteve të fundit, veçanërisht në mesin e vajzave adoleshente. Në të njëjtën kohë, zotërimi i telefonave të mençur dhe përdorimi i mediave sociale janë rritur, megjithëse faktorë të ndryshëm kontribuojnë në këtë prirje.

Megjithëse shumë vëmendje është përqendruar në efektet negative të përdorimit të mediave dixhitale në kurriz të shembujve pozitivë, hulumtimi i kryer për mirëqenien e adoleshentëve gjatë pandemisë, për shembull, tregoi se adoleshentët me qasje në laptopë ishin më të lumtur se ata pa laptopë, thekson Amy Orben, nga Universiteti i Kembrixhit.

Qasje paraprake

Orben vuri theksin tek nevoja për një qasje të nuancuar kur vlerësohet rreziku i mediave sociale, duke i mbrojtur masat e synuara dhe më shumë të dhëna kërkimore. Evropa ka marrë një qëndrim paraprak, me Patti Valkenburg nga Universiteti i Amsterdamit që mbron masat mbrojtëse për të miturit.

Jo të gjithë fëmijët do të pësojnë dëm nga këto rreziqe të përdorimit të telefonave të mençur dhe mediave sociale. Por për të miturit duhet të adoptojmë parimin e kujdesit. Fakti që mund të shkaktohet dëm duhet të jetë i mjaftueshëm për t’i justifikuar masat për ta parandaluar ose zbutur rrezikun e mundshëm, sipas Valkenburg.

Sytë drejt së ardhmes

Në përgjigje të shqetësimeve në rritje, platforma si Instagram, YouTube dhe TikTok kanë zbatuar mjete, duke përfshirë kontrollet prindërore dhe rikujtuesit për të bërë pauza nga shikimi.

Megjithatë, platformat më të mëdha së shpejti do të përballen me rregulla më të rrepta në BE.

Kompanitë me më shumë se 45 milionë përdorues në BE, duke përfshirë Instagram, TikTok dhe YouTube, duhet të ofrojnë vlerësime të ndikimit të modeleve të tyre në shoqëri, veçanërisht në mirëqenien e të miturve.

Brukseli po bashkëpunon gjithashtu për rregullat e dizajnit të platformës të përshtatshme për moshën. Megjithatë, ligji i ri i përmbajtjes nuk zbatohet për lojërat në internet, aplikacionet e mesazheve ose vetë pajisjet dixhitale.

Ndërkohë që të gjitha këto përpjekje janë premtuese, rruga përpara mbetet komplekse. Ekspertët po pyesin se si kompanitë e mediave sociale mund t’i përshtatin modelet e biznesit me problemet e shëndetit mendor të përdoruesve. Dialogu i zhvillimit midis Komisionit Evropian dhe kompanive të teknologjisë pritet të jetë kompleks dhe ndryshimet afatshkurtra mund të kufizohen./Politico