Trajneri i ri i FC Prishtinës i ashpër me lojtarët e tij, nuk i pëlqen mentaliteti

Trajneri i ri i Prishtinës, Abdulah Ibrakovic është shprehur i pakënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij në ndeshjen e parë në drejtimin e klubit kryeqytetas.

Prishtina barazoi pa gola me Dukagjinin dhe kjo ka nxitur reagimin e trajnerit të ri të Prishtinës.

“Në fillim nuk ishte keq, kishim disa raste por nuk arritëm të shënojmë. Nuk jam i kënaqur me barazim, duhet të ndryshojmë diçka në mentalitetin e ekipit. Na pret punë e madhe për të ndryshuar mentalitetin dhe ritmin e lojës”, tha ai.

Prishtina tash e sa kohë po përballet me mungesë të rezultateve. Prishtina momentalisht gjendet në pozitën e pestë, me 18-të pikë të grumbulluara, gjashtë me pak se lideri, Ballkani.

Javën tjetër Prishtinën e pret po ashtu një duel i vështirë me Feronikelin.