Trajneri i fitnesit Bardhi Uka: Çka të hamë gjatë Ramazanit dhe cilat janë përfitimet nga agjërimi?

Gjatë muajit të Ramazanit personat që merren me sport, sidomos ata që merren me fitnes, janë në dilema se çfarë ushqimi të hanë.

Bardhi Uka, trajner i fitnesit në “Transformohu”, në bashkëpunim me KALLXO.com dhe KallxoSport, ofron këshilla se si duhet të ushqehemi gjatë muajit të agjërimit.

Në kohën e pandemisë së coronavirusit, qytetarët janë të detyruar që të ushtrojnë në shtëpi duke improvizuar ushtrime të ndryshme.

Bardhi Uka thotë se trupi jonë ka përfitime të shumta nga agjërimi, sepse ndikon pozitivisht në uljen e shtypjes së gjakut, pastrimin e enëve të gjakut, etj.

“Agjërimi ndikon pozitivisht në uljen e shtypjes së gjakut, pastrimin e enëve të gjakut, zvogëlimin e peshës trupore, sëmundjen e sheqerit dhe rezistencën e insulinës, nivelin e yndyrës në gjak, pastaj në disa sëmundje nervore, të lëkurës, sëmundje kronike infektive, pengesa të tretjes, ngarkesa të veshkave, largimin e gjërave toksike nga trupi. Kuptohet se jemi në karantinë dhe nuk mund t’i bëjmë ushtrimet në palestër për shkak të pandemisë, por nuk domethënë që t’i ndalojmë ushtrimet. Ato duhet t’i përforojmë në shtëpi duke i zëvendësuar peshat me improvizime të ndryshme”, tregon Bardhi Uka.

Ushqimi për iftar duhet të jetë i lehtë, i pasur me vitamina e minerale, thotë Bardhi Uka.

“Gjatë muajit të agjërimit rekomandohet ushqimi i pasur me vitamina, minerale. Ushqimi në iftar duhet të jetë sa më i lehtë, pasi që nuk jemi ushqyer gjatë gjithë ditës. Ushqimi në iftar duhet të jetë oriz, patate, mish dhe sallata të ndryshme, po ashtu pemë dhe perime. Nuk duhet ta teprojmë me ujë, dy gota na mjaftojnë, pasi shumica e njerëzve dëshirojnë të ngopen e kjo është gabim”, tregon 23 vjeçari.

Në syfyr sipas Bardhi Ukës duhet të mënjanohen gjërat të cilat e dehidratojnë trupin e njeriut siç janë çaji i zi dhe kafetë.

“Në syfyr duhet t’i mënjanojmë gjërat na dehidratojnë siç janë çaji i zi dhe kafet, pasi e dehidratojnë trupin dhe e detyrojnë trupin t’i nxjerr lëngjet, pasi neve na duhen lëngje gjatë agjërimit. Trupit i duhet të konsumojë sa më shumë ujë dhe lëngje, sidomos kur ushtroni duhet të pini sa më shumë ujë, dhe nuk rrezikoni në humbjen e peshës”, këshillon trajneri i fitnesit Bardhi Uka se çka duhet të konsumojmë në kohën e syfyrit.

Ta mbash formën optimale në kohën e Ramazanit është e vështirë, por Bardhi Uka tregon se cilat janë suplementet të cilat na ndihmojnë ta mbajmë formën optimale.

“Sa i përket suplementeve në kohën e Ramazanit, njëra prej suplementeve më të mira gjatë kohës së ramazanit është caseina, ky suplement përdoret gjatë kohës së syfyrit, sepse caseina tretet ngadalë dhe qëndron më gjatë në trupin tonë duke e bërë atë të ndjehet i ushqyer. Por, kur ushtrojmë pas iftari, mund të përdorim Whey Protein të pastër që t’i ushqejmë muskujt”, këshillon Bardhi Uka.

Bardhi Uka tregon edhe cilat ushqime duhet t’i konsumojmë gjatë kohës mes iftarit dhe syfyrit.

“Ushqimet e preferuara në iftar janë, hurma, orizi, patatet, mishi i bardhë, sallatat kurse pas iftarit deri në syfyr duhet të konsumojmë ujë dhe lëngje të shoqëruar me pemë dhe perime siç janë pjeshka, molla, dredhëza. Në syfyr preferohet ushqim më i lehtë që nuk e ngarkon lukthin, që ka sa më shumë lëngje, pra nuk preferohet kafja dhe çaji i zi”, tregon Bardhi Uka.

Po ashtu në uebin e Transformohu mund të informoheni më saktësisht për fitnes.