Edhe BIK-u në Gjilan punon me orar të shkurtuar

Në Gjilan, përpos zyrtarëve të komunës që agjërojnë e që do të punojnë me orar të shkurtuar gjatë ramazanit, edhe punëtorët e Bashkësisë Islame të Kosovës kanë një orar të tillë.

Në një prononcim për KALLXO.com, kryetari i BIK-ut në këtë qytet, Naim Aliu ka thënë se edhe punëtorët e tij gjatë muajit të ramazanit dalin më vonë se zakonisht në punë.

“Edhe unë prej kur jam kryetar i këshillit e kemi me orar të shkurtuar, prej orës 09:30 – 10:00 punëtorët e mi dalin në punë dhe nuk kam pas nevojë me e konsultua kurrkënd, kam marr vendim vet” – ka thënë Aliu.

Kryetari i BIK është pyetur nëse është kontaktuar nga kryetari i Komunës, Alban Hyseni për vendimin që ky i fundit ka marr për shkurtim të orarit.

“Jo nuk kemi pas një konsultim të tillë me kryetarin” – ka thënë Aliu duke shtuat se jo vetëm Gjilani por edhe komunat e tjera, edhe në vitet e kaluara kanë marr vendime të tilla.

Madje, sipas Aliut edhe nga ish-kryetarët e Komunës së Gjilanit janë marr më herët vendime të tilla.

“Nuk është vendimi i parë që është bërë kaq bujë, edhe mbrëmë edhe sot që ku me e dit çka paska bërë kryetari. E ki edhe në komuna të tjera, gjithkund i ki veç i kanë në lloje të ndryshme” – shtoi tutje Aliu.

KALLXO.com dje raportoi lidhur me këtë vendim të nxjerr nga ana e Hysenit, e për të cilin është kontaktuar edhe Ministria Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi ka thënë se vendim në fjalë do të shikohet sa i përket anës ligjore.

Në anën tjetër, Vendimi i kryetarit Alban Hyseni, për zvogëlimin e orarit të punës për një orë për zyrtarët që agjërojnë është arsyetuar si ‘lehtësirë’ nga këshilltari për media, Besart Selimi.

Në një prononcim për KALLXO.com, Selimi ka thënë se një vendim i tillë ka qenë iniciativë vetë kryetarit dhe jo ndonjë kërkesë nga ndonjë drejtori.

Vendimi ka hyrë në fuqi nga data 24 mars, dhe do të jetë në fuqi deri më 20 prill.

Vendimi i kryetarit Hyseni në Gjilan – 1 orë më pak punë për ata që agjërojnë