Klasa ku është mbajtur testi i maturës Foto: MASHT

DKA Prishtinë vendos që mësimi në shkolla të përfundojë disa minuta para iftarit

Pasi ka filluar muaji i shenjtë i Ramazanit, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka vendosur që mësimi të fillojë nga ora 07:30 dhe të përfundojë më së largu deri në orën 17:00.

Sipas Drejtorisë së Arsimit, nuk do të zvogëlohet numri dhe kohëzgjatja e orëve mësimore, duke ruajtur cilësinë dhe vazhdimësinë e mësimit.

Sot, më 19.02.2026 është dita e parë e muajit të Ramazanit dhe iftari është në ora 17:21.

“Për shkak të muajit të shenjtë të Ramazanit dhe në respekt të agjëruesve, Drejtoria e Arsimit ka rishikuar organizimin e procesit mësimor. Është vendosur që mësimi të fillojë nga ora 07:30, të shkurtohet kohëzgjatja e mesndërrimit si dhe të reduktohen pushimet e gjata”- thuhet në njoftimin e DKA Prishtinë, më 19.02.2026.

Në bazë të orarit të një shkolle fillore të mesme të ulët në Prishtinë, mësimi fillon në ora 07:30 dhe përfundon në ora 12:45. Kurse, në ndërrimin e dytë fillon në ora 13:15 dhe përfundon në ora 17:30.

Në anën tjetër, sipas Nenit 10 të Udhëzimit Administrativ 10/2015 të Ministrisë së Arsimit, kohëzgjatja e orës së mësimit të rregullt është 45 minuta dhe ajo mund të modifikohet me pëlqim të MASHTI-t.

KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Arsimit dhe Bashkësinë Islame të Kosovës për këtë njoftim dhe është në pritje të përgjigjeve.

Ndërkaq, me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, janë vendosur drita dekoruese në tri sheshet e kryeqytetit nisur nga rruga pranë xhamisë së Çarshisë.

Përparim Rama, kryetari i Prishtinës ndau pamje mbrëmë më 18.02.2026 nga momenti i ndezjes së dritave, bashkë me Bashkësinë Islame të Kosovës

Ndërsa, për 30 ditë rresht, besimtarët e fesë islame do të agjërojnë muajin e Ramazanit.