
Naim Ternava, BIK
Tërnava uron besimtarët myslimanë për fillimin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit
Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
“Sonte me faljen e namazit të taravive dhe ngrënies së syfyrit në agim, besimtarët myslimanë nisin agjërimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Në emër të BIK dhe timin personal ju uroj Muajin e Shenjtë të Ramazanit, me bindjen dhe shpresën që të përjetojmë agjërimin me përkushtim dhe lutemi për bamirësi dhe solidaritet.” – ka thënë Tërnava, në Konferencën për media, më 28.02.2025.
Myftiu Tërnava ka këshilluar besimtarët që gjatë muajit të Ramazanit të jenë të durueshëm e të ruajnë unitetin në mes tyre, të bashkëpunojnë e të garojnë për vepra të mira.
“Me rastin e fillimit të këtij muaji të bekuar, këshilloj vëllezërit dhe motrat e mi kudo që janë, që të kenë frikë nga Zoti i Madhëruar, të garojnë në vepra të mira, të urdhërojnë njëri-tjetrin për të bërë mirë, të jenë të durueshëm, ta ruajnë unitetin e të mos përçahen, të bashkëpunojnë në mirësi, urtësi dhe devotshmëri, si dhe të ruhen nga të gjitha ato mëkate që Zoti i ka ndaluar. Kjo ngase Ramazani është një Muaj madhështor, muaj në të cilin shumëfishohen veprat e mira dhe falen mëkatet, për ata të cilët agjërojnë dhe falin namazin, me besim dhe devotshmëri – duke kërkuar kështu shpërblimin për punët e tyre.” – theksoi Myftiu.
Tërnava tha se në prag të këtij Muaji të shenjtë kanë shpërndarë pako ushqimore për familjet në nevojë, ndërsa theksoi se rreth 20 mijë familje do të ndihmohen gjatë Muajit të Ramazanit.
“Nëpër të gjitha Komunat kemi bërë shpërndarjen e shumë pakove ushqimore dhe mish të kurbanit, kemi ndihmuar 15 mijë familje, ndërsa gjatë muajit do të ndihmojmë edhe 20 mijë familje të tjera.” – tha Tërnava.
Nesër, më 01.03.2025, do të fillojë Muaji i shenjtë i Ramazanit dhe do të përfundojë më 29.03.2025.
Dita e parë e Fitër Bajramit do të jetë më 30.03.2025.
Vaktinë e Ramazanit të publikuar nga BIK mund ta gjeni KËTU.