Kombëtarja e Kosovës gjatë stërvitjes- Foto: Atdhe Mulla

Reagon FFK ndaj deklaratës së Federatës Rumune: Pavarësia e Kosovës është një realitet i patjetërsueshëm

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka reaguar ndaj deklaratës së Federatës Rumune të Futbollit, duke  thënë se Pavarësia e Kosovës është një realitet i patjetërsueshëm dhe i pranuar nga shumica e shteteve demokratike në botë.

Sot, Federata Rumune deklaroi se në lidhje me ndeshjet ndaj Kosovës në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”, do të konsultohet me Qeverinë, pasi që Rumania nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Në një përgjigje për KALLXO.com, FFK-ja ka thënë se në vazhdimësi ka kultivuar frymën e bashkëpunimit me të gjitha federatat anëtare të UEFA-s, përfishirë këtu edhe ato nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.

“Pas anëtarësimit tonë në UEFA e FIFA, këto dy organizma e kanë përcaktuar se për shkaqe politike deri në krijimin e rrethanave të reja nuk do të lejohen përballjet e Kosovës me Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, teksa me asnjë prej shteteve tjera nuk kemi pengesa për zhvillimin e ndeshjeve dhe kjo është dëshmuar edhe viteve të fundit kur jemi përballur me shtete si Spanja, Greqia apo Qipro, që nuk e njohin pavarësinë e vendit tonë” – ka thënë FFK-ja.

Sipas tyre, edhe në të kaluarën ka pasur zëra që janë munduar t’i japin qasje politike ndeshjeve me Kosovën, por në fund FFK-ja thotë se ndeshjet janë zhvilluar sepse UEFA në këtë aspekt është e pakompromis dhe nuk lejon ndëhyrjen e politikës.

“Ne, do ta mirëpresim Rumaninë në stadiumin “Fadil Vokrri” si çdo rival tjetër dhe presim që e njëjta gjë të ndodhë edhe nga pala rumune. Futbolli i bashkon njerëzit dhe shtetet dhe kjo është edhe vetë motoja e UEFA-s”- ka thënë FFK-ja për KALLXO.com.

Kombëtarja e Kosovës në futboll është në grupin I të kualifikimeve për evropianin ‘Euro 2024’, bashkë me Zvicrën, Rumaninë, Izraelin, Bjellorusinë dhe Andorrën.

Rrugëtimin drejt evropianit Kosova do ta nisë me ndeshjen kundër Izraelit në udhëtim, më 25 mars 2023.

Federata Rumune e Futbollit: Do ta diskutojmë me qeverinë nëse do të luajmë kundër Kosovës