Federata Rumune e Futbollit: Do ta diskutojmë me qeverinë nëse do të luajmë kundër Kosovës

Kosova do të jetë një nga kundërshtarët e Rumanisë në Grupin I për ndeshjet kualifikuese për EURO 2024, së bashku me Zvicrën, Izraelin, Bjellorusinë dhe Andorrën.

Ndeshjet kualifikuese për EURO 2024 do të luhen midis marsit dhe nëntorit të vitit 2023.

Dy skuadrat e para në secilin grup kualifikohen automatikisht në EURO 2024, me Gjermaninë nikoqire, e cila kualifikohet automatikisht, shkruan gazeta e përditshme sportive rumune gsp.ro.

Tre pjesëmarrësit e mbetur, do të vendosen me ndeshje play-off mes 12 skuadrave të pakualifikuara në EURO 2024, me rezultatet më të mira në Ligën e Kombeve 2022/2023. 

Ndeshjet e Play-off janë planifikuar për në mars të vitit 2024.

Kualifikimi për Euro 2024 në Gjermani është objektivi i trajnerit të përfaqësueses së Rumanisë, Edward Iordănescu, pavarësisht rezultateve të dobëta në Ligën e Kombeve.

Përballja kundër kombëtares së Kosovës do të jetë diçka e re për “trikolorët”, sepse Rumania nuk e njeh shtetin e Kosovës, i cili shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008, shkruan tutje gsp.ro.

Federata Rumune e Futbollit i është përgjigjur pyetjeve të dërguara nga gazeta GSP dhe ka saktësuar se lidhur me përballjen me Kosovën do të ketë diskutime me përfaqësues të Qeverisë.

“Duke marrë parasysh faktin se Rumania dhe Kosova u caktuan në të njëjtin grup në shortin për EURO 2024, ngjarje kjo e zhvilluar dje, më 9 tetor, dhe duke marrë parasysh situatën gjeopolitike, Federata Rumune e Futbollit do të dialogojë me Qeverinë e Rumanisë dhe do t’i mësojë kushtet e ndeshjeve në të cilat përfaqësuesja jonë do të takohet me Kosovën, në Grupin I” – thuhet në deklaratën e Federatës rumune.

Theodor Melescanu, ish-ministri i Jashtëm i Rumanisë, thotë se kombëtarja e Edi Iordănescu nuk duhet të pranojë të luajë kundër kombëtares së Kosovës.

“Kosova nuk është njohur nga një numër shtetesh, duke përfshirë edhe ne, Rumaninë, ne kurrë nuk e kemi njohur pavarësinë e Kosovës. Normalisht, Federata jonë e Futbollit, përmes Răzvan Burleanut, duhet të diskutojë edhe me shtetet e tjera që kanë të njëjtin pozicion si Rumania dhe të arrijë në një metodë që nuk duhet të shkatërrojë të gjithë sistemin, por edhe të mos respektojë gjërat që janë shumë të qarta nga këndvështrimi i Rumanisë. Prandaj, unë do të thoja se FRF do të duhet të gjejë zgjidhje. Nëse jo, ajo që mund të bëhet është të humbasim 3-0 me Kosovën” – ka thënë Meleșcanu.

Gazeta ka shtuar se tashmë dihen pasojat nëse nuk pranojnë të luajnë kundër Kosovës.

“Mosparaqitja në një ndeshje për arsye politike do të çonte në mospërputhje të FRF-së nga UEFA. Ndërhyrja politike në futboll nuk pranohet nga UEFA” – thonë burimet e Gazetës./Gsp.ro