Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Muriqi: Mund të jemi të kënaqur me paraqitjen ndaj Lituanisë

Qendërsulmuesi Vedat Muriqi, shënoi një gol në fitoren e thellë të Kosovës 4-0, në miqësoren ndaj Lituanisë.

Pas ndeshjes, sulmuesi i Lazios, ka thënë se problemi te ekipi italian është puna e adaptimit.

“Te Lazio është puna e adaptimit dhe kam pasur probleme tjera ku nuk kam arritur të përgatitem me ekipin për fillimin e sezonin. Derisa të adaptohem dhe të mësoj gjuhën, besoj se nuk do të jetë aspak lehtë. E kam pak problem por besoj se edhe te Lazio kam filluar gradualisht ta marrë veten. Kanë mbetur edhe dhjetë xhiro atje dhe shpresoj të futem në formë dhe të bëhem gati për sezonin tjetër”, ka thënë fillimisht Vedat Muriqi.

Sulmuesi i “Dardanëve”, ka deklaruar se te Kosova ndjehet mirë, pasi është shtëpia e tij.

“Te Kosova, gjithmonë ndihem mirë sepse kjo është shtëpia ime. Ishte një paraqitje shumë e mirë, me të cilën mund të ndahemi shumë të kënaqur. Kemi mundur të shënojmë të paktën gjashtë gola pasi lëshuam shumë raste në pjesëlojën e parë por kjo ndodhë. Megjithatë, në fund arritëm fitore dhe kjo është me rëndësi. Me Lazion ka kontratë pesëvjeçare dhe klubi ka bërë investim të madh. Kështu që, klubi vendos edhe pse unë jam i lumtur. Ky është vetëm viti im i parë dhe normale është që të kem telashe pasi bëhet fjalë për Serie A”, ka deklaruar Muriqi.