Kosova mëson kundërshtarët e ardhshëm për Europian

Kombëtarja e Kosovës A në hendboll në kategorinë e vajzave, ka mësuar kundërshtarët e ardhshëm për kualifikimet për Europianin 2022.

“Dardanet”, sot kanë mësuar kundërshtarët e fazës së parë kualifikuese për Europianin 2022.

Kosova do të garoj në Grupin A së bashku me Portugalinë, Luksemburgun dhe Qipron.

Kosova për short ishte në vazon e dytë. Gjithsej në fazën e parë kualifikuese marrin pjesë 11 ekipe kombëtare të hendbollistëve që janë ndarë në tri grupe. Fituesi i grupit avancon në kualifikimet e rregullta dhe ky natyrisht mbetet synim i vajzave tona.

Ndeshjet e fazës së parë kualifikuese për Euro 2022 do të zhvillohen prej 31 majit deri më 6 qershor. Ndërsa kualifikimet e rregullta fillojnë në tetor të këtij viti.

Ndeshjet e grupit të Kosovës pritet të luhen në Portugali.

Euro 2022 mbahet në Slloveni, Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi në dhjetor të vitit të ardhshëm.

Kujtojmë se hendbollistët e Kombëtares së Kosovës sot udhëtojnë për në Austri, pasi të premtën dhe të shtunën i luajnë ndeshjet e fazës së parë kualifikuese për Botërorin 2021.