Foto: FFK

Kosova me mungesa në ndeshjen kundër Irlandës së Veriut

Kombëtarja e Kosovës në futboll e ka mbajtur seancën e fundit stërvitore para ndeshjes së tretë në kuadër të Ligës së Kombeve kundër Irlandës së Veriut, e cila zhvillohet të enjten në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Paraprakisht në konferencë për media janë paraqitur përzgjedhësi, Alain Giresse dhe futbollisti Lirim Kastrati.

Trajneri ka thënë se Kosova është gati për këtë duel, megjithëse ka mungesa të rëndësishme në ekip, pasi për shkak të pezullimit për shkak të kartonëve mungojnë Arijanet Muriq dhe Fidan Aliti, derisa për shkak të lëndimit i diferencuar nga ekipi ka stërvitur Vedat Muriqi.

“Jemi në një situatë paksa të veçantë para ndeshjes me Irlandën e Veriut si pasojë e asaj që ndodhi në duelin e fundit me Greqinë, ku jemi pa dy lojtarë që u përjashtuan dhe këta i shtohen mungesave që i kemi. Jemi në vështirësi sa i përket pozicioneve të caktuara, pasi ata që mungojnë janë të rëndësishëm në pozitat e tyre. Mirëpo, padyshim se do të tentojmë t’i përshtatemi situatës, të përgatitemi dhe të kemi një paraqitje sa më të mirë. Sa i përket Vedat Muriqit, shpresojmë që ai të jetë i gatshëm për këtë ndeshje”, është shprehur Giresse.

Ai ka thënë se aspekti fizik i ekipit është shumë i rëndësishëm, duke pasur parasysh se kundërshtari vrapon shumë. Ndërkaq, mbrojtësi Lirim Kastrati ka thënë se humbja nga Greqia nuk duhet ta ndalë Kosovën drejt paraqitjeve të mira.

“Nuk kemi kohë të mendojmë për lojën e kaluar. Tash jemi të fokusuar të gjithë për lojën me Irlandën e Veriut. Jemi përgatitur mirë. Atmosfera është gjithmonë e mirë. Edhe humbja është pjesë e lojës kështu që ne jemi të përgatitur. Normalisht, po të kishim arritur fitore, do të ishte edhe më mirë në aspektin moral. Tash duhet ta tregojmë veten dhe me angazhim, punë e ushtrime, besoj që do ta kemi një rezultat pozitiv nesër”, ka thënë Kastrati.

E telasheve me mungesa gjatë seancës së sotme stërvitore iu shtua edhe lëndimi i Edon Zhegrovës. Si rrjedhojë, ai u detyrua ta braktisë stërvitjen dhe të shkojë për ekzaminime të mëtutjeshme mjekësore, pas të cilave do të mësohet nëse do të mund të jetë i gatshëm për ndeshjen e nesërme.

Foto: FFK