Ankohet Gjilani, kërkon fitore në tavolinë nga ndeshja me Dukagjinin

Klubi i Gjilanit përmes një komunikate për media ka njoftuar se sot ka bërë ankesë zyrtare në FFK lidhur me ndeshjen e xhiros së 12-të ndaj Dukagjinit.

Dukagjini – Gjilani kishte përfunduar me rezultatin 1-1.

Gjilani pretendon se aktivizimi i sulmuesit Ahmed Januzit për Dukagjinin në këtë ndeshje nuk ishte i rregullt dhe për këtë arsye e kërkon fitoren në tavolinë.

Sipas Gjilanit, Januzaj nuk kishte të drejt loje duke i paraqitur disa fakte për këtë gjë. Ky klub e ka bërë ankesën më herët dhe është duke pritur përgjigje nga organet e FFK-së.

“Kërkojmë përgjegjësi maksimale nga komisionet përkatëse dhe të sillen konform propozicioneve dhe rregulloreve të garave, teksa konfirmon se do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ta dërguar këtë rast deri në fund”, thuhet në komunikatën e Gjilanit.