Agim Cana. Foto: KF Vëllaznimi/Facebook

Agim Cana edhe zyrtarisht jep dorëheqje nga ‘KF Vëllaznimi’

Klubi i futbollit “Vëllaznimi” ka njoftuar se Agim Cana është larguar edhe zyrtarisht nga pozita e presidentit të klubit.

Sipas njoftimit, Cana kishte ofruar para më shumë se 3 muaj dorëheqjen nga klubi, por kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, nuk e kishte aprovuar kërkesen e Canës për dorëheqje.

Kurse ditën e djeshme, Agim Cana ka dhënë dorëheqje të parevokushme, duke dhënë si arsye obligimet familjare, gjendjen personale shëndetësore dhe mungesën e fondeve të mjaftueshme financiare.

“Kam investuar shumë në rregullimin e ambienteve të Klubit, në stadium dhe në lokalet përcjellëse, e posaqërisht në rregullimin e fushës së lojës, e cila, fal kësaj pune të vazhdueshme, është bërë njëra ndër më cilësoret në Kosovë. Jam munduar që me rritjen e nivelit të stimulimit financiar të lojtarëve dhe të trajnerëve, por edhe më krijimin e kushteve të akomodimit të tyre dhe të pajisjes me rekuizita të shumta dhe tejet cilësore, ti motivoi ata për punë dhe rezultate sa më të mira”, thuhet ndër të tjera në arsyen e dorëhqejes së tij.

Agim Cana për rreth 20 muaj sa ishte president i klubit nga Gjakova, fillimisht Vëllaznimi ra nga Superliga e Kosovës, e pastaj këtë vit dështoi të inkuadrohet në Supërligë, duke e humbur ndeshjen e barazhit ndaj Trepçës ’89.