Vëllaznimi në krizë të thellë, drejtuesit e klubit premtojnë ndryshim të situatës

Klubi i KF Vëllaznimi po përballet më një krizë të radhës. Në tre ndeshjet e fundit në kuadër të Ligës së Parë në Futbollin Kosovar, Vëllaznimi ka zhvilluar ndeshjet me Juniorë.

Në ndeshjet e para u mendua që Vëllaznimi do të jetë kandidati kryesor për t`u rikthyer vitin e ardhshëm në Superligë, por pas disa ndeshjeve të mira në fillim në klubin gjakovar filloi një krizë.

Pas 14-të ndeshjeve të zhvilluara Vëllaznimi gjendet në pozitën e katër me 21 pikë, gjashtë pikë larg vendit të parë që siguron kalimin në Superligën e Kosovës në Futboll.

Fillimisht Vëllaznimi në fillim të sezonës angazhoi trajneri, Granit Begollin, por që ky i fundi u largua nga Klubi. Pos Begollit gjatë ditës së djeshme nga klubi është larguar edhe Adnan Haxhaj.

Kallxo.com ka kontaktuar me drejtuesit e klubit për të marrë një prononcim lidhur me gjendjen e klubit.

Drejtuesit e klubit thonë se lojtarët janë tash e 2 muaj pa paga.

“Lojtarët kanë bojkotuar ndeshjet për arsye se tash e dy muaj ata nuk kanë marrë rrogë”, thonë nga klubi i Vëllaznimit.

Po ashtu nga drejtuesit e klubit është bërë e ditur se prej largimit të Agim Canajt, klubi nuk ka donatorë.

“Prej kur ka shkuar Agim Cana, Vëllaznimi ka mbetë pa donatorë”, thonë drejtuesit e klubit.

Lidhur me atë se a janë përkrahur nga Komuna, drejtuesit e klubit kanë treguar edhe shifrën që Komuna ka investuar për klubin e qytetit të Gjakovës.

“Komuna na ka ndihmuar këto 3 vitet e fundit, nga Komuna për këto 3 vite kemi marrë rreth 35 mijë euro”.

Drejtuesit e klubit nuk e përjashtojnë mundësinë që klubi të shndërrohet në Shoqëri Aksionare por që në momentin që shndërrohet në Shoqëri Aksionare duhet të plotësohen disa kushte.

“Kuvendi i Klubit i përbërë nga 17 anëtarë ka marrë vendim që t`i ndryshohet statusi klubit, prej OJQ-së në Shoqëri Aksionare, por që deri më sot nuk ka ndonjë investitorë konkret”.

Investitori duhet t`i plotësojë disa kushte nëse dëshiron që të marrë KF Vëllaznimin.

“Selia duhet të jetë në Gjakovë, nuk duhet ti ndryshohet emri klubit e as nuk duhet të ndryshohen ngjyrat e klubit. Po ashtu investitori duhet të ketë një plan program 5 vjeçar që të udhëheqë me klubin”, thonë nga KF Vëllaznimi.

Ata premtojnë që do të angazhohet maksimalisht që kjo gjendje të përmirësohet.

Edhe tifozët e flaktë të këtij klubi gjatë ditës së djeshme kanë reaguar për gjendjen në të cilën gjendet klubi i tyre i zemrës.

 

Vëllaznimi në krizë financiare, i largohet një futbollist