Zyrtarë nga Komunat e Rajonit të Prishtinës ‘Diplomohen’ për Strategji Zhvillimi

Zhvillimi dhe fuqizimi i kapaciteteve të akterëve qendrorë dhe rajonalë për të kuptuar dhe aplikuar metodat e zhvillimit strategjik të BE-së dhe instrumente të tjera relevante të zhvillimit, ishte një nga qëllimet kryesore të akademisë zhvillimore që u mbajt sot në të cilin u diplomuan 37 zyrtarë të 8 komunave të rajonit të Prishtinës.

Alban Hashani nga Instituti Riinvest tha se implementimi i projektit 2 vjeçar filloi në janar të vitit 2015 i financuar nga zyra e Bashkimit Evropian

“Aktiviteti kryesor i projektit është organizim i Akademisë Zhvillimore, trup ky që organizon ligjërata në dy cikle me kohëzgjatje secili prej 3 muajve, ku pjesëmarrësit i nënshtrohen 24 ligjëratave intensive”, tha Hashani.

Drejtoresha e Fondacionit Friedrich-Ebert (FES) për Kosovë Besa Luzha tha se papunësia dhe kërkesat për vende të reja të punës janë prioritet për Kosovën.

“Bashkimi Evropian në kuadër të procesit të zgjerimit, gjithmonë ka zhvilluar instrumente të cilat i ndihmojnë vendet anëtare për t’u përgatitur më mirë në fazën e anëtarësimit. Këtë e bëjnë me instrumente të ndryshme, dhe njëri prej tyre është ofrimi i granteve”, tha Luzha.

Ajo tha se së bashku me Riinvestin e kanë zhvilluar këtë ide, në mënyrë që përmes ligjëratave të përgatiten njerëzit që janë edhe në nivelin komunal edhe ne nivelin institucional të Kosovës në mënyre që ti zhvillojnë më tutje shkathtësitë e tyre për aplikimin dhe shfrytëzimin e këtyre granteve.

Ndërkaq Zarie Malsiu njëra nga të diplomuarat tha se nga ky trajnim janë aftësuar dhe se diplomimi është një shtytje që të vazhdojë të merret me aktivitete të tilla.

“Arsyeja e këtij trajnimi ka qenë të merremi edhe ne me projekte. Gjatë këtij trajnimi kemi arritur dhe jemi aftësuar shumë dhe diplomimi është një hap shumë i suksesshëm”, tha Malsiu.