Ilustrim

Arrestohen katër të dyshuar për disa grabitje të armatosura  

Mbrëmë hetuesit e Njësitit të Hetimeve të Përgjithshme, kanë arrestuar katër burra të dyshuar për së paku dhjetë vepra grabitje të cilat janë kryer nën kërcënimin e armëve.

Këtë për KALLXO.com e ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ajo ka treguar se personat e arrestuar dyshohet të jenë të përfshitë në rastet e  grabitjeve, që kanë ndodhur në pompa derivatesh, markete kryesisht në rajonin e Prishtinës.

“Personat e dyshuar F. M., 34 vjeç; F. M., 32 vjeç; A. S., 34 vjeç dhe XH. S., 41 vjeç, janë arrestuar në Stacionin e Autobusëve, derisa po tentonin të largoheshin nga Kosova”- ka thënë Ahmeti.

Ajo ka shtuar se personat e dyshuar pas intervistimit nga ana e hetuesve me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.