Ilustrim

Krimet e rënda me aksion në rajonin e Prishtinës e Mitrovicës për rastin 'Fajdeja'

Pesë lokacione të ndryshme të cilat përfshijnë regjionin e Prishtinës dhe një në regjionin e Mitrovicës janë kontrolluar sot nga Policia e Kosovës në vazhdën e hetimeve të rastit “Fajdeja”.

Nga ky aksion i PK-së janë arrestuar tre persona të dyshuar, të cilët është thënë se do të dërgohen në qendrën e mbajtjes për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore.

Sipas një njoftimit të Policisë së Kosovës, në këtë aksion janë konfiskuar në cilësi të provave materiale pesë vetura, tre telefona celular, një llap top, dy USB dhe disa dokumente të shkruar me dorë.

Aksioni është kryer nga sektori i Hetimeve të Krimeve të Rënda në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda të PK-së.

Ky sektor ka zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse.