Zoran Gjokiq mohon vrasjet gjatë luftës në Pejë

Zoran Gjokiq , i akuzuar për krime lufte në lagjen ‘Kristal’ të Pejës u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.

“I pafajshëm”, u përgjigj shkurt Gjokiq në pyetjen e Gjyqtarit Special, Arben Hoti.

Zoran Gjokiq akuzohet se gjatë muajve mars-prill të vitit 1999, në lagjen Kristal të Pejës, ka hyrë dhunshëm nëpër shtëpitë e shqiptarëve lokalë dhe i ka detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Siç e përshkruan prokuroria, pas largimit nga shtëpitë, Gjokiq i ka maltretuar fizikisht dhe psiçikisht viktimat.

Më tej, aktakuza shpjegon që Gjokiq së bashku me persona të tjerë pasi kanë arritur tek shtëpia e të ndjerit Hilmi Zeqiraj, kanë plaçkitur dhe kanë detyruar që t’i dorëzojnë të gjitha të hollat. Po ashtu, sipas aktakuzës, në oborrin e po kësaj shtëpie e kishin rrahur Shaban Kaliqanin duke e goditur në fytyrë dhe duke ia thyer dhëmbët ndërsa në ndërkohë e vrasin Hilmiun.

Gjokiq akuzohet edhe se më pas ka ndaluar Skender Zeqirajn, Shaban Kaliqanin dhe Bashkim Berishën, të cilët më pas i ndan dhe me kallashnikov i ekzekuton Zeqirin dhe Berishën.

Sipas aktakuzës, Shaban Kaliqani kishte shpëtuar pasi i akuzuari i ishte drejtuar me fjalët “Ngaj çka po pret”.

I vdekur kishe mbetur edhe Riza Mamaj i cili ishte nisur me karrocë në dorë dhe ishte qëlluar më pas me plumba në gjoks.

Kallxo.com, ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

Ngritet aktakuzë për krime lufte në Pejë