Foto: Facebook

Zgjedhjet Serbe, LVV Kritikon Qeverinë e Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar rreth zgjedhjeve serbe që po mbahen sot në Kosovë. Përgjegjës pse këto zgjedhje po mbahen këtu “si kudo në Serbi” partia opozitare e ka bërë Qeverinë e Kosovës.

“Isa Mustafa, që më shumë po ngjan si zëdhënës i Qeverisë së Serbisë, sesa kryeministër i një shteti të pavarur, në vend të kundërshtimit e ndalimit të këtyre zgjedhjeve, është vënë tërësisht në funksion të organizimit të tyre, dhe kështu në shërbim të Serbisë, duke legjitimuar edhe zyrtarisht praninë e Serbisë dhe pretendimet e saja mbi Kosovën”, thuhet në një komunikatë të LVV-së.

Sipas Vetëvendosjes, arsyetimi i Mustafës se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë buron nga dyshtetësia, është manipulim dhe i paqenë.

“Këtu po shmanget qëllimisht fakti i mosnjohjes së shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, si dhe shkelja flagrante e sovranitetit shtetëror dhe institucional të vendit”, thuhet më tutje në komunikatë.

Këto zgjedhje sipas LVV-së po i organizon Serbia me trupat e saj. Ndërsa, roli i OSBE-së që vepron në Kosovë në bazë të rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, sipas LVV-së do të jetë vetëm mbulimi i pranisë së strukturave të Serbisë në organizimin e këtyre zgjedhjeve dhe zëvendësimin e tyre në transportimin e materialit zgjedhor nga vendvotimet deri në pikën kufitare.

Vetëvendojse thekson se zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, duke qenë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Në bazë të Kushtetutës, Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm. Ndërsa, sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj. Zgjedhjet e vetme që mund të mbahen në territorin e Republikës së Kosovës janë zgjedhjet për institucionet qendrore apo lokale të Republikës së Kosovës, dhe të organizuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës”, thekson LVV-ja.

Kjo Lëvizje konsideron se Qeveria e Kosovës ka dështuar t’i kryejë detyrat e veta shtetërore sot.