Zafir Berisha në Kuvend

Zafir Berisha: Mali i Zi nuk Është Vend Mik

Zafir Berisha ka konstatuar se Mali i Zi nuk është vend mik.

“E vërteta duhet thënë edhe atëherë kur nuk na pëlqen. Mali Zi nuk është vend mik siç e paraqesim për arsye të politikës ditore”, shkroi Berisha në Facebook.

Ai tregoi edhe arsyet pse Mali i Zi njohu pavarësinë e Kosovës.

“Mali Zi e ka njohur Kosovën shtet me 2008, sepse shqiptarët kanë qenë vendimtarë me 2006 që të pavarësohet ai nga Serbia. Kështu që kanë ndodhur veprime reciproke në të mirë të dy vendeve”, ka vijuar postimi i Berishës.

Ai më tutje ka thënë se nuk duhet harruar se Mali Zi “shtrihet në tokat shqiptare dhe malazezët janë ata që për një shekull kanë qenë aleatë dhe pjesëmarrës direkt në luftërat gjenocidale sllave kundër shqiptarëve”.

Kosova dhe Mali i Zi më 26 gusht 2015 në Vjenë nënshkruan marrëveshjen për përcaktimin e vijës kufitare mes vete, një marrëveshje që ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.