Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së mblidhen në Mal të Zi, Plani i Rritjes në fokus të samitit

Nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”, sot, më 16.05.2024, në Kotorr të Malit të Zi nis punimet Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.

Liderët e rajonit bashkë me përfaqësuesit e BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pritet që të diskutojnë për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Pjesëmarrës në këtë takim është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai do të jetë folës në panelin e diskutimit “Situata aktuale dhe planet e së ardhmes – Plani i ri i rritjes”.

Nikoqiri i këtij samiti, kryeministri malazez Milojko Spajiq fillimisht do t’i presë liderët në ora 09:15h.

Sipas agjendës së publikuar nga Qeveria e Malit të Zi, Spajiq do të ketë një konferencë për media me Komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, në ora 10:30h.

Në takimin e liderëve të rajonit, prezentë do të jetë edhe Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Kryeministri Albin Kurti ka mbërritur në Mal të Zi, më 15.05.2024, dhe ka publikuar fotografi nga takimet me O’Brien, me komisionerin e BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi, si dhe me liderë të vendeve të rajonit.

Në platformën “X”, ai ka bërë të ditur se me liderët do të ketë diskutim për agjendën e reformës së Planit të Rritjes së BE-së dhe çështjet rajonale.

Po ashtu, sipas tij, do të diskutohet edhe për gjendjen e zbatimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit.

“Unë jam në Kotorr të Malit të Zi, për takimin e 3-të këtë vit të BB6 mbi Planin e Rritjes së BE-së së bashku me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Ne do të diskutojmë përparimin tonë në Agjendën e Reformës së Planit të Rritjes së BE-së dhe çështjet rajonale, duke përfshirë gjendjen e zbatimit të marrëveshjeve që kemi arritur në Procesin e Berlinit” – ka shkruar Kurti.

Më pas, ai ka marrë pjesë në darkën e liderëve të shtruar nga kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq.

Gjatë muajve të kaluar janë mbajtur takime ministrore dhe samite rajonale të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup dhe Tiranë.

Në këto takime, liderët dhe ministrat e vendeve të rajonit dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë diskutuar për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me Bashkimi Europian.

Në samitin e Tiranës, mirëpritës i të cilit ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, morën pjesë edhe liderët e tjerë rajonalë: presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, dhe presidentja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Kristo.

Në këtë takim Kosova nuk kishte përfaqësues, përderisa prezent fizikisht nuk ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Mos pjesëmarrja e tij u arsyetua se Kurti kishte pasur “angazhime të mëparshme”. Mirëpo ai iu kishte drejtuar pjesëmarrësve përmes një video-adresimi. Njëjtë kishte vepruar edhe kryeministri malazez.

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Një samit i ngjashëm për këtë plan u mbajt më 22.01.2024 në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, më 8 nëntor të vitit 2023, është i bazuar në katër shtylla.

Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së”.

Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”.

Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“.

Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.

Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.