Ymeri: Kosova po Mbahet nga Remitancat

Në ditën e dytë të takimit të tretë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, kreu i “Vetëvendosjes” Visar Ymeri kontestoi shifrat e rritjes ekonomike.

“Nuk ka rritje ekonomike siç po thuhet nga qeveria-Kosova mbahet nga remitancat”, tha Ymeri.

Në raportin e saj në prill të këtij viti, Banka Botërore kishte thënë se rritja ekonomike në Kosovë në 2016-ën ishte 3.6 për qind, ndërsa Agjencia e Statistiikave rritjen për këtë vit e kishte vlerësuar 3.4 për qind.

Në mars të vitit 2017 Isa Mustafa kishte thënë se për 2016-ën pritet rritje ekonomike mbi katër për qind dhe kjo deklaratë e tij kishte hyrë në krypometër-produktin e KALLXO.com që mat vërtetësinë e deklaratave publike.

KALLXO.com duke u bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës shkroi në fund të vitit të kaluar se remitancat në nëntë muajt e parë të 2016-ës ishin më të pakta se në periudhën e njëjtë të vitit 2015, por më të larta se në nëntë muajt e parë të 2014-ës.

http://kallxo.com/pak-para-nga-diaspora/

Ymeri tha se “70 mijë persona e kanë humbur vendin e punës që nga paslufta me privatizimi të egër”.

Ymeri foli edhe për dialogun e Brukselit. Tha se ai është i dëmshëm.

“Edhe në deklarata zyrtare thuhet se Prishtina [është në]dialog me Beogradin. Ky term nuk është dashamirës e neutral. Është i dëmshëm. Ky dialog është dizajnuar keq. Ky dialog quhet dialog për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, por këtu nuk ka pasur progres, vetëm regres”, tha Ymeri.

Kryetari i “Vetëvendosjes” tha se Serbia është arsyeja pse Kosova nuk ka marrëdhënie të mira me të.

“Natyrisht që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jenë të mira. Por duhet ta kuptoni se arsyeja që ne nuk kemi e nuk do të kemi marrëdhënie të mira është Serbia”, tha Ymeri.

Ai foli edhe për dëmet e luftës duke i vlerësuar ato në 2.1 miliardë dollarë.

KALLXO.com shkroi edhe dje për takimin e tretë të Komisionit parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë.

http://kallxo.com/apostolova-kerkon-fokusim-ne-zbatim-te-msa-se/