Ymeri kritikon fjalët e Veliut ndaj Osmanit: Janë të pahijshme dhe të papranueshme

Ish- deputeti i Kuvendit të Kosovës Visar Ymeri, ka komentuar deklaratën e nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu, duke e cilësuar jashtëzakonisht të pahijshme dhe thelbësisht të papranueshme.

“Diskutimet për dukjen fizike të kujtdo në skenën publike, e veçanërisht në atë politike, përveç se denigruese e të poshtra, janë edhe të padijshme. Më shumë se sa për të apostrofuarin flasin për apostrofuesin. Ky i fundit në këto sulme del i gabuari, i padijshmi, pa sens as të politikës dhe as të humorit”, tha Ymeri.

Sipas Ymerit, kjo tregon për mungesën serioze të diskutimeve përmbajtësore në skenën politike.

“Kështu i tërë ligjërimi politik rrezikon të kalojë përmes personalizimit të politikës tek objektifikimi i personit. Kjo e çon diskutimin edhe një hap larg politikës dhe çështjeve me të cilat duhet të përballemi urgjentisht”, ka thënë ai.

Ymeri ka kërkuar nga LDK të tregoj çka do të bëjnë me problemet urgjente ekonomike, sociale e politike, sepse për tentim përqeshje banale dhe tonalitet abuziv e patriarkal, sipas tij ka sa të duash në secilën tavolinë të secilës kafene dhe çajtore nëpër Kosovë.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme Veliu, për Periskopin ka thënë, Vjosa Osmani është “e gjerë”  dhe i duhet hapësirë për të qëndruar në LDK.