Ylli Hoxha voton për rizgjedhjen e tij - Foto: KALLXO.com

Ylli Hoxha Drejton 'Vetëvendosjen' në Prishtinë

Ylli Hoxha është rizgjedhur edhe njëherë Kryetar i Degës së Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinë. Rreth 900 anëtarë të LVV-së kanë marrë pjesë në zgjedhjet e djeshme që janë mbajtur në disa qendra në rajonin e Prishtinës.

95.67 % kanë votuar për Hoxhën kryetar, 2.21 kanë votuar kundër tij dhe 1.44 kanë abstenuar, tha për KALLXO.com zëdhënësja e LVV-së, Tinka Kurti.

Pavarësisht se gara është bërë pa kundërkandidat, Kurti lavdëroi procesin zgjedhor.

“Demokracia e brendshme në Lëvizje është shembull për demokracinë në përgjithësi në vendin tonë. Jemi i vetmi subjekt ku secili anëtar ka të drejtë vote, jo vetëm për të zgjedhur drejtuesit e organizatës sonë, por edhe për të vendosur përmes referendumit të brendshëm, mbi çështjet dhe proceset e e rëndësishme në Lëvizje”, thuhet në njoftimin e LVV-së

KALLXO.COM ka ndjekur dje nga afër zgjedhjet e brendshme për Kryetar të degës së Prishtinës.

http://kallxo.com/vv-ne-zgjedhje-ne-prishtine-me-vetem-nje-kandidat/

Ylli Hoxha ka thënë dje për KALLXO.com se do të punojë që në Lëvizjen Vetëvendosje të mos ketë simpatizantë pasivë por ata të bëhen aktivistë “që do t’i kontribuojnë kauzave që i kemi përpara”.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2013, Vetëvendosje përmes Shpend Ahmetit i dha fund qeverisjes 13 vjeçare të LDK-së duke e marrë kontrollin e partisë. Megjithatë, në asamblenë komunale, LDK ka mbetur subjekti më i përfaqësuar, ndërsa Vetëvendosje është në vendin e dytë me numrin e asamblistëve.