Xhavit Haliti

Xhavit Haliti e Merr Librin për Demarkacionin

Anëtari i kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, e ka gjetur sot në sirtarin e tij në Kuvend librin të cilin ia dërguan dhuratë dy liderët e opozitës, Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Fatmir Limaj i NISMA-s.

Libri i Zejnullah Grudës që i kushtohet kufirit që ndan Kosovën dhe Malin e Zi u ble të premten nga Haradinaj e Limaj në Panairin e Librit.

Përveç Xhavit Halitit, ky libër u është dërguar edhe 74 kolegëve tjerë të tij nga koalicioni qeveritar në përpjekje për t’i sensibilizuar ata që ta kundërshtojnë marrëveshjen për demarkacion ndërmjet dy shteteve, të nënshkruar në gusht të vitit të kaluar.

Xhavit Haliti e ka konfirmuar se e ka marrë librin përmes një postimi në Facebook.

“Falënderoj publikisht kolegët nga të dy partitë parlamentare për dërgesën, edhe pse nuk ma kishin nënshkruar librin! Besoj në vullnetin e mirë të opozitës që së shpejti të ulemi së bashku në institucione (komisione parlamentare dhe seancë plenare) për të debatuar haptas për Demarkacionin e vijës kufitare Kosovë- Mali i Zi”, ka shkruar Haliti.