Dardan Molliqaj në një konferencë të VV-së - Foto: KALLXO.com

VV Kërkon Ndërprerjen e Hetimeve nga Grupi Aktual Hetues

Në një konferencë për shtyp, sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj tha se VV dhe familja e Astrit Deharit, aktivistit që u gjet i vdekur në burgun e Prizrenit, nuk dëshirojnë që grupi aktual që është duke kryer hetimet të vazhdojë më tutje.

“Sot janë bërë 6 ditë nga vdekja e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit dhe në vend që të kemi qartësi dhe drejtësi për rastin vetëm janë shtuar dilemat për rastin ne fjalë”, tha Molliqaj.

Kjo kërkesë sipas zyrtarit të Vetëvendosjes është rezultat i mosbesimit në ata që po i zhvillojnë hetimet.

Me këtë rast ai ka përmendur informacionin tepër të pasaktë, sipas tij, të drejtorit të Policisë Rajonale të Prizrenit, Nexhmi Krasniqin, i cili disa orë pas rastit kishte thënë se “Astrit Dehari ka përdorur medikamente, pas të cilave ka rënë në komë dhe rrugës për në Emergjencë ka vdekur”.

Molliqaj tha se janë shumë të brengosur edhe rreth mënyrës se si janë administruar provat.

Më tej ai është marrë me kryeprokurorin e Prizrenit, Sylë Hoxhën. Sipas Molliqajt nga afera “Pronto 2” kuptohet se Sylë Hoxha është vendosur në pozitën që ka nga klani “Pronto”.

Pjesë e grupit hetues që po merret me rastin e vdekjes së Astrit Deharit është edhe prokurori i rastit Metush Biraj. Për të Molliqaj tha se ka kërkuar zbutjen e dënimit për Elez Hoxhën lidhur me korrupsion. “Elez Hoxha është vëllai i Sylë Hoxhës”, tha Dardan Molliqaj.

“Kështu, e kemi komandantin e Policisë Rajonale të Prizrenit që ka dhënë deklaratë të pasaktë në lidhje me vdekjen e Astritit, e kemi Sylë Hoxhën prej klanit “Pronto”, e kemi prokurorin e rastit që është i varur nga Sylë Hoxha… Në këtë pikë familja dhe ne qëndrojmë mbrapa të njëjtës kërkesë: nuk dëshirojmë që ky grup, i cili është duke kryer hetimet tani, të vazhdojë më tutje”.

Dardan Molliqaj u deklarua edhe rreth vizitës që ai dhe aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes i kishin bërë në burg Astrit Deharit disa ditë para se ai të gjendej i vdekur.

Molliqaj tha se ai ka qenë në burgun e Prizrenit për vizitë te Astrit Dehari më 27 tetor. Sipas tij, për këtë vizitë por edhe të zyrtarëve të tjerë të VV-së kanë marrë leje nga gjykatësi Vehbi Kashtanjeva.

“Të gjitha vizitat e aktivistëve të VV-së në burgun e Prizrenit kanë qenë në prezencë të familjes. Kjo mund të vërtetohet lehtë në bazë të kamerave dhe familjarëve”, tha ai.

E pyetur rreth deklaratës së KMDLNj-së se Molliqaj dhe Sami Kurteshi kishin vizituar Deharin në qeli me lejen e gjykatësit të procedurës paraprake, zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi tha për KALLXO.com se “gjyqtari i procedurës paraprake (Vehbi Kashtanjeva) nuk është në dijeni lidhur me ndonjë kërkesë për leje-vizitë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren për të ndjerin A.D.”.

http://kallxo.com/gjyqtari-skam-lejuar-vizitat-e-molliqajt-e-kurteshit-ne-qeline-e-deharit/

Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, i cili të shtunën është gjetur i vdekur në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, është varrosur të martën.

http://kallxo.com/varroset-astrit-dehari/

Pas kryerjes së procesit të autopsisë, kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha ka thënë se Astrit Dehari ka vdekur nga asfiksia.

http://kallxo.com/syle-hoxha-astrit-dehari-ka-vdekur-nga-asfiksia/