VV me Dyshime për Rekomandimin e Liberalizimit

Lëvizja “Vetëvendosje” në një deklaratë në lidhje me rekomandimin për liberalizim ka thënë se duhet këmbëngulje që trajtimii shteteve të ndryshme të Ballkanit të jetë i njëjtë nga BE-ja dhe që të mos përdoren kute të ndryshme varësisht nga ndikimi e interesat.

VV-ja ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk është dashur të paguajnë çmimin për krim të organizuar dhe korrupsion.

“Ne besojmë se privimi i deritashëm i qytetarëve të Kosovës nga lëvizja e lirë brenda zonës Schengen ka qenë i padrejtë. Qytetarët nuk duhet ta paguajnë çmimin e krimit të organizuar e korrupsionit të politikanëve në pushtet me të cilët eksponentë të ndryshëm ndërkombëtarë (përfshirë ata të BE-së) kanë punuar ngushtë,” thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.

Për “Vetëvendosjen” nuk është e drejtë as kërkesa që para se kosovarët të lëvizin të lirë të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.

“Nëse kufijtë e demarkuar qartë janë kërkesë e zakonshme, atëherë është dashur që të kërkohet demarkimi i të gjithë kufijve ndërkombëtar të Kosovës. Nëse jo, atëherë as ky me Malin e Zi nuk duhet të jetë si kërkesë shtesë,” thuhet në deklaratë.