VV: Dhënia e lejes për Vuçiqin ia rrit Serbisë pretendimet

Lëvizja Vetëvendosje ka komentuar vizitën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Kosovë.

Ata kanë thënë se leja e dhënë nga institucionet e Kosovës për vizitën e Vuçiqit është e paligjshme, është jolegjitime, e dëmshme për të tashmen dhe e rrezikshme për të ardhmen.

“Vizita e presidentit të Serbisë në Kosovë, qëndrimet dhe veprimet e tij, janë kundër pavarësisë së Kosovës dhe Republikës sonë. Ato janë shkelje e integritetit territorial dhe institucional të vendit tonë. Por, në të njëjtën kohë, janë edhe kurorëzim i Zajednicës, Thaçi-Vuçiq”, thuhet në postimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook.

Lexoni më poshtë postimin e plotë të Lëvizjes Vetëvendosje:

Institucionet e Kosovës asnjëherë nuk kanë treguar seriozitet sa herë që udhëheqësit serbë paralajmërojnë vizita në Kosovë. Që prej dhënies së lejes për presidentin serb Aleksandër Vuciq, pushteti në Kosovë po tregon se është i gatshëm të lëshojë pe dhe të bëjë kompromise me Serbinë që i paguan shteti e populli ynë.

Kjo leje është e paligjshme, është jolegjitime, e dëmshme për të tashmen dhe e rrezikshme për të ardhmen.

Vizita e presidentit të Serbisë në Kosovë, qëndrimet dhe veprimet e tij, janë kundër pavarësisë së Kosovës dhe Republikës sonë. Ato janë shkelje e integritetit territorial dhe institucional të vendit tonë. Por, në të njëjtën kohë, janë edhe kurorëzim i Zajednicës Thaçi-Vuçiq. Aq shumë e ka relativizuar, deri në kontestim, shtetësinë e vendit tonë presidenti aktual Thaçi, saqë e ka krijuar një terren të jashtëzakonsëm për Serbinë këtu. Andaj, sot Vuçiqi mund ta vizitojë Ujmanin, mund ta kujtojë madje në fjalën e tij edhe Millosheviqin, ta përmendë Serbinë e Madhe dhe të zotohet se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Krejt kjo, falë pushtetit që ia hap udhën përmes negociatave pa kushte, pa parime dhe pa mandat. Hashim Thaçi e ka bërë të pranueshëm mospranimin e Kosovës andaj sot bëhen me lehtësi deklarata kundër nesh.

Andaj edhe ndodhin protesta në kundërshim të kësaj vizite. Këto protesta nuk i shkakton vetëm indinjimi ndaj Vuçiqit, por i prodhon edhe pazotësia e institucioneve të Kosovës.

Kësisoj, Hashim Thaçit nuk i duhen prova të reja se duke shpërfillur Kuvendin e Republikës së Kosovës nuk ka fituar asgjë, pos shfaqjen e pretendimeve të Serbisë ndaj Kosovës. Kosova ka nevojë për udhëheqës të tjerë, të dinjitetshëm, që ia mbrojnë integritetin dhe ruajnë dinjitetin.