Kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës, Sllobodan Vujiçiq - Foto: Rtv21

Vujiçiq: Kosova të Përmbushë Obligimet ndaj Malit të Zi

Kryetari i Shoqatës së malazezëve në Kosovës, Sllobodan Vujiçiq, u ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe partive politike që të tejkalojnë konfliktet e brendshme dhe në kohën sa më të shkurtër të përmbushin obligimet e marra ndaj Malit të Zi dhe bashkësisë ndërkombëtare, përshirë dhe demarkacionin për kufirin.

Ai ka thënë se Prishtina zyrtare që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot, asnjërën prej obligimeve të marra ndaj Malit të Zi dhe malazezëve në Kosovë nuk e ka kryer në tërësi dhe nuk i ka përmbushur premtimet e dhëna.

Sipas tij, moskryerja e obligimeve dhe premtimeve ka të bëjë me ratifikimin e demarkacionit nga Kuvendi i Kosovës, nga e cila edhe ndjeshëm varet edhe e ardhmja dhe dinamika me të cilën do të shkojmë drejt integrimeve euroatlantike.

“Kemi premtimet deklarative tash e 10 vjet se malazezët së shpejti do të jenë kategori kushtetuese, edhe pse pranimi ynë kushtetues realisht nuk shihet askund. Ajo që është lehtë e realizueshme, është fillimi i implementimit të strategjisë për integrim dhe afirmim të bashkësisë malazeze dhe hapja e Qendrës zhvillimore, për më shumë se dy vjet nuk ka vullnet as pjekuri politike që të fillohet me realizim”, ka thënë Vujiçiq. /21Media