Vonesa në pagesën e Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Nëntë anëtarët e Këshillit Shtetërorë të Cilësisë që ka për detyrë marrjen e vendimeve mbi akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë u përballën me vonesa të pagesave të honorareve për këtë punë.

Pagesat për anëtarët e këtij bordi u proceduan dy muaj e gjysmë me vonesë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Emrat e nëntë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë u ratifikuan në Kuvendin e Kosovës më 17 prill të këtij viti.

Anëtarët e saj janë: Prof. Dr. Gazmend Luboteni, Prof. Ass. Dr. Vjollca Krasniqi, Prof. Ass. Dr. Arta Jakupi, Dr.Sc. Spec. Rozafa Koliqi-Lila Prof. Dr. Magdalena Ziolo,  Prof. Dr. Herbert K. Amato, Prof. Dr. Xhavit Rexha, Prof. Msc. Jeffery Butel dhe Prof. Ass. Dr. Dukagjin Zeka

Këta profesorë që kanë punë të rregullta të mësimdhënies në institucione publike apo private në Kosovë dhe jashtë vendit, paguhen edhe me një honorar mujor për punën në KSHC.

Sipas informative të marra nga përfaqësuesit e këtij këshilli pagesa që ishte dashur të bëhet në fund të tre mujorit të parë të punës, pra në qershor, nuk u bë deri më 11 shtator të këtij viti.

Vjollca Krasniqi, nënkryetare e KSHC-së, për KALLXO.com tha se arsyet për vonesën e pagesës nuk i janë dhënë nga institucioni përgjegjës, në këtë rast, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

“Të gjithë anëtarët e KSHC-së kanë nënshkruar kontratat me AKA-në, ku është paraparë dhe dinamikat e pagesës së honorareve, në bazë tre mujore. KSHC ka marrë pagesën për tremujorin e parë (Prill, Maj, Qershor 2018), para dy ditësh, me vonesë 2 muaj e gjysëm. Arsyet e vonesës së pagesës nuk janë dhënë me shkrim”, tha Krasniqi.

KALLXO.com mëson se pagesat e parapara mujore për anëtarët e KSHC-së janë 400 euro ndërsa për kryetarin e këtij bordi është 500 euro.

Valmir Gashi, Këshilltar i Ministrit të Arsimit, nuk dha shumë detaje lidhur me arsyet e vonesës së pagesës së këshillit mirëpo e quajti ‘paqartësi procedurale’

“Për shkak të disa paqartësive procedurale në buxhet ka pasur edhe vonesa rreth pagesave në fjalë”, tha Gashi.

Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi në shtator të vitit që shkoi shkarkoi anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Ky shkarkim ndikoi që Agjencia e Kosovës për Akreditim të përjashtohet nga Regjistri Europian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

https://kallxo.com/agjencia-kosovare-e-akreditimit-perjashtohet-nga-nje-organizate-nderkombetare/