Objekti i Ministrisë së Arsimit
Ministria e Arsimit Emëron Anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi sot ka emëruar anëtarët e rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit.
Ky vendim erdhi gati një muaj pas shkarkimit të bordit të vjetër që erdhi pas kërkesës së kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Këtë vendim, ministri Bytyqi e ka marrë me qëllim të funksionalizimit, rritjes së cilësisë dhe efikasitetit të punës së Këshillit Shtetëror të Cilësisë”, thuhet në vendimin e Ministrisë së Arsimit.
Anëtarët e rinj të zgjedhur për mandatin pesëvjeçar janë Gazmend Luboteni kryetar, Rozafa Koliqi- Lila, nënkryetare dhe anëtar Blerim Ramosaj, Arben Qirezi, Ilir Doçi dhe Dukagjin Zeka.
Më 3 tetor, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci se cilat ishin arsyet e shkarkimit të bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Akreditimit, kryeministri Haradinaj në seancën e Kuvendit kishte thënë se vendimi i tij nuk ka të bëjë me individët e shkarkuar por me gjendjen e krijuar në arsimin e lartë, e sidomos me atë në institucionet private të këtij niveli.