Libra shkollorë. Foto: Kallxo.com
Viti Shkollor 2019/2020 me Tekste të Reja Shkollore
Viti shkollor 2019/2020 do të sjellë ndryshim të librave shkollore në Kosovë.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në një konferencë për media tha ndryshimi i teksteve shkollore ka ardhur si rezultat i librave që kanë pasur gabime qofshin teknike apo përmbajtjesore.
“Edhe këtë vit, viti shkollor 2018/2019 ne do t’i kemi tekstet e vjetra sepse kështu e ka paraparë Këshilli i Ekspertëve. Tekstet e reja do të jenë të gatshme për vitin e ri shkollor 2019/2020”, deklaroi Bytyqi.
Krejt ky ndryshim, sipas ministrit, do të bëhet përmes një konkursi publik i cili pritet të hapet këtë vit.
“Konkursi publik do të jetë në dy nivele, niveli i parë do të kemi publik të librave për klasën përgatitore, për klasën 0, 1 6 dhe 10. Ky konkurs do të shpallet shumë shpejtë dhe sipas planit dinamik që Këshilli i Ekspertëve e ka përpiluar, planifikohet që diku deri në tetor të bëhet dorëzimi i dorëshkrimit për tekstet e reja”, tha Bytyqi.
Ai tha se pjesa e dytë e konkursit për tekstet e reja shkollore do të hapet në muajin korrik për klasat 2, 7 dhe 11.
I pari i Ministrisë së Arsimit, tha se pritet që për periudhën gjashtë mujore të bëhet dorëzimi i dorëshkrimit të parë të autorëve të teksteve shkollore ndërsa në muajin janar 2019 të bëhet dorëzimi i dorëshkrimit të dytë për këto tekste shkollore.
Bytyqi tha se po bëhen përpjekjet dhe angazhimet e MASHT-it për miratimin e Projektligjit për tekstet e reja në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Ai pranoi se ka probleme edhe me mungesën e teksteve shkollore në shkollat profesionale në Kosovë.
Ndërsa i pyetur se a do të ndryshojnë emrat e autorëve të teksteve shkollore, për shkak se deri më sot ka pasur autor të njëjtë dhe po ashtu shtëpi të njëjta botuese, ministri Bytyqi tha se kjo nuk është përgjegjësi e tij dhe dikasterit që ai drejton.
KALLXO.com pati raportuar pwr përmbajtje diskriminuese në tekstet shkollore në Kosovë.