Ilustrim

Ministria e Arsimit: Është bërë pagesa për ata që kanë aplikuar deri më 29 gusht për tekste shkollore

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se më 31 gusht ka përfunduar pagesa për furnizim me tekste shkollore për të gjithë ata që kanë aplikuar deri më 29 gusht në ora 16:00.

“Fillimisht janë ekzekutuar 30 euro për materiale mësimore e më pas 50 euro për tekste shkollore” – thuhet në njoftimin e MASHTI-t.

Më tej, Ministria e Arsimit ka thënë se nga sot ka vazhduar ekzekutimi i mjeteve për ata që kanë aplikuar pas datës 29 gusht.

“Numri i tërësishëm i aplikimeve deri tani është 133,500” – theksohet në njoftim.

MASHTI ka thënë se aplikimi do të jetë i hapur gjatë gjithë muajit shtator.

“Në mënyrë që të sigurohemi që asnjë nxënës për çfarëdo arsye të mos mbetet pa tekste shkollore. Çdo rast i adresuar do të trajtohet me prioritet dhe do të ofrohet ndihma e nevojshme për aplikim dhe përfitim të këtyre mjeteve” – thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të MASHT-it, sot ka filluar mësimi në 658 institucione arsimore derisa në 18 të tjera nuk ka filluar për shkak se kanë qenë në proces të renovimit.

“Në shumicën prej këtyre institucioneve punimet do të përfundojnë deri më 4 shtator dhe do të nis procesi i rregullt mësimor” – përfundon njoftimi.