Evakuimi i qytetarit të palëvizshëm nga FSK, Foto: Kallxo.com

VIDEO – Simulimi i zhvendosjes së qytetarit të palëvizshëm nga FSK-ja në rajonin e Batllavës

Në ditën e dytë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, simulohet një krizë në rajonin e Batllavës ku si rezultat i reshjeve të vazhdueshme rritet niveli i ujit në liqen.

Në mënyrë që mos të ketë dëmtime edhe më të mëdha, zyrtarët kanë hapur kanalin dhe kanë lejuar sasi të mëdha të ujit të dalin në lum.

Si rrjedhojë e kësaj disa lagje të fshatrave afër liqenit janë të rrezikuara nga përmbytja dhe banorë të shumtë duhet të zhvendosen. Njësitë reaguese të FSK-së arrijnë në vendin e incidentit dhe komandanti i operacionit vendos prioritetet dhe ndan detyrat.

Në xhirimet ekskluzive të KALLXO.com shihet se si popullata e rrezikuar e cila sipas skenarit të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’ përbëhet nga pjesëtarët rezervë të FSK-së, po refuzon të evakuohet pa u bashkuar me pjesëtarët e tjerë të familjeve të tyre.

Situata fillon të tensionohet. Pjesëtarët e njësitit rezervë të FSK-së, po e luajnë shumë mirë rolin e tyre, që t’ua vështirësojnë sa më shumë punën FSK-së dhe Policisë së Kosovës. Kërkojnë karrocë, ushqim, nuk bashkëpunojnë pa u bashkuar me familjarët e tyre.

Ky është episodi i dytë i serisë së emisioneve speciale për FSK-në, të realizuara nga KALLXO.com.

Më poshtë mund të gjeni xhirime ekskluzive të realizuara nga KALLXO.com në bashkëpunim me FSK-në kuadër të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’.