Ilir Tolaj (Arkiv). Foto: Kallxo.com

VIDEO - Seanca ku Ilir Tolaj fitoi pafajësinë

Gjykata Themelore në Prishtinëi ka dhënë pafajësinë ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Tolaj, zyrtarëve të kësaj Ministrie, si dhe zyrtares së Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të gjithë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me projektin e asgjësimit të barërave me afat të skaduar.

Të pafajshëm janë shpallur Ilir Tolaj, Zenel Kuqi, Bekim Fusha, Valentina Haxhijaj, Florije Tahiri e Remzije Thaçi.

Në aktgjykimin e lexuar nga kryetarja e trupit gjykues, Valbona Selimaj është thënë se trupi gjykues pas administrimit të të gjitha provave dhe pas këshillimit dhe votimit njëzëri ka marrë vendim që të akuzuarit të shpallën të pafajshëm pasi që sipas Gjyqtares Selimaj me asnjë provë nuk është arritur të vërtetohen pretendimet e Prokurorisë Speciale se të akuzuarit kanë kryer veprat penale të cilat u viheshin në barrë.

Në arsyetimin e aktgjykimit u tha se për pikën e parë të aktakuzës nuk ka palë të dëmtuar pasi që dy të akuzuarit Arian Lleshi dhe Shpend Agani e kanë paguar dëmin e shkaktuar.

Lleshi e Agani lidhën marrëveshje për pranim fajësie me prokurorin special, të cilën më pas e pranoi edhe Gjykata.

Pas aprovimit të pranimit të fajësisë, Gjykata i dënoi Lleshin e Aganin me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1,000 euro gjobë.

Po ashtu, biznesmenët u obliguan që t’i kthejnë shtetit 400 mijë euro.

Të gjitha shpenzimet e procedurës gjyqësore bien në barrën e gjykatës, ndërsa palët e pakënaqura kanë të drejtë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Pas shpalljes së aktgjykimit Ilir Tolaj foli për media me ç’rast ai procesin gjyqësor ndaj tij e quajti “luftë shtrigash”.

“Kundër meje është bërë një luftë shtrigash me qëllim që të përjashtohem nga çdo lloj aktiviteti i jetës politike pavarësisht kësaj jam falënderues i të gjithë atyre që i kanë besuar pafajësisë sime si dhe gjykatës që përkundër presionit ka marrë një vendim të drejtë”, tha Tolaj.

https://kallxo.com/gjykata-vendosi-per-ilir-tolajn/

Kurse mbrojtësi i Ilir Tolaj, avokati Besnik Berisha tha se me anë të këtij aktgjykimi është vërtetuar edhe një herë dështimin e prokurorisë.

“Sot u konfirmua edhe një herë që kemi një prokurori të dështuar që ka bërë ndjekje selektive jo vetëm ndaj Tolaj por edhe të tjerëve”, tha avokati Berisha.

https://kallxo.com/ilir-tolaj-flet-pasi-fitoi-pafajesine-ne-gjykate/

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuarve përbëhej nga tri pika.

Pika e parë akuzonte Ilir Tolajn, Bekim Fushën dhe Zenel Kuqin se gjatë periudhës 23. 5.2011 deri 31.12.2011 në Prishtinë, në bashkëveprim, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI” sh.p.k. me bashkëpronarë Arion Lleshin dhe Shpend Aganin, i tejkaluan kompetencat si dhe nuk i përmbushën detyrat zyrtare të tyre.

Sipas prokurorisë këto veprime të të akuzuarve kompanisë “KMI” i kanë sjellë dobi materiale në shumë prej 400.000 euro. Në vlerë të njëjtë ata i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës thuhej në aktakuzën e prokurorisëë.

Për këtë Prokuroria i akuzonte se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

https://kallxo.com/mbrojtja-e-bujar-bukoshit-dhe-ilir-tolajt-nuk-gjen-asnje-shkronje-dallim-ne-aktakuzen-e-ndryshuar/

Pika e dytë e aktakuzës e akuzonte Zenel Kuqin se në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës ndërmjet 23.05.2011 dhe 31.12.2011 i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe “Standart”, për aktivitetin e prokurimit  “Renovimi gjeneral i aneksit të emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “Life Farm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 eurove.

https://kallxo.com/fjala-perfundimtare-ne-gjykimin-e-ilir-tolajt-demtues-te-buxhetit-apo-viktima-te-prokurorise/

Me këtë në vazhdimësi sipas Prokurorisë Kuqi kishte kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pika e tretë e akuzonte Valentina Haxhijajn, Remzije Thaçin dhe Florije Tahirin se gjatë periudhës kohore 23.05.2011 deri 31.12.2011, Valentina Haxhijaj në cilësinë e kryetares  së Komisionit për Mbikëqyrjen e Ekzekutimit të Kontratës me Kompaninë “KMI”, sh.p.k. si dhe Remzije Thaqi e Florije Tahiri në cilësinë e anëtares, në bashkëveprim duke e shfrytëzuar autoritetin zyrtar më qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI”, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare duke i sjellë kompanisë dobi materiale në shumën rreth 400.000 eurove.

https://kallxo.com/e-akuzuara-prokurori-me-tha-afer-drurit-te-thate-digjet-edhe-i-njomi/

Me këtë në vazhdimësi Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi e Florije Tahiri akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Gjykimi i ish-sekretarit dhe zyrtarëve të MSh-së është rast i shënjestruar për liberalizimin e vizave.

Raportet e KALLXO.com lidhur me këtë rast gjyqësor mund t’i gjeni në këtë link.