VIDEO: Ramiz Lladrovci e lë gruan pa pronë të regjistruar

Në emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan hulumtimet e BIRN-it për regjistrimin e pronave të përbashkëta në,  emër të dy bashkëshortëve, hulumtim i nisur një vit më parë dhe i cili përfshiu zyrtarë shtetërorë e lokalë.

Ekipi i “Drejtësia në Kosovë” ka pyetur 10 kryetarë të Komunave të Kosovës se a kanë prona të regjistruara në emër të grave të tyre.

“I rri mbrapa një premtimi në deklarimin që e jap publik por edhe personal. Besoj që kryetarët do t’i rrijnë fjalës së tyre mbrapa dhe kryetarët do të jenë besoj model për qytetarët e tyre”, tha Kryetari i Shtimes, Naim Ismajli.

“Jetoj akoma me pasuri e vëllezër dhe së shpejti do ta ndaj atë pak pronë që e kemi dhe më pas do ta regjistroj”, tha Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti.

“E kam deklaruar, unë kam jetuar me familje por ende jam në bashkësi familjare mirëpo megjithatë jam në procedurë nëpër gjykata dhe do të jetë krejt pasuria që kam unë do të jetë edhe në emër të gruas”, tha  Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova.

“Nëse flasim për pasurinë e paluajtshme si shtëpia e banesa unë nuk kam asnjë paragjykim. Në rastin tim unë kam banesën në emrin tim gruaja një banesë në Greqi në Kllokot kemi të përbashkët”, tha Nënkryetari i Komunës së Kllokotit, Sasha Markoviq.

“Unë premtimet e mia i kam dhënë për 4 vjet jo për tash. Nuk e kam bërë ende sepse kemi probleme pronësore, sepse ende nuk e kemi ndarë pasurinë mbi vete. Megjithatë është e drejtë do të ndodh, patjetër do të vetëdijesohemi sepse pronat ende janë të gjyshave e stërgjyshave. Por pronën tani e kemi me bashkëshorten asi jemi që një kohë të gjatë”, tha Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj.

“Pronën e fundit që e kemi ble është ble me leje të bashkëshortes, bashkërisht e kemi nënshkru”, tha Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.

“Unë e kam deklaru se do ta regjistroj, por akoma nuk e kam regjistruar për shkak të angazhimeve që kemi pasur, por pasurinë e kemi të përbashkët sikurse edhe jetën që e kemi”, tha Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

“Nga momenti që ka dalë ligji ne e kemi regjistruar shtëpinë edhe të gjitha pronat që figurojnë në emër tim figurojnë edhe në emër të bashkëshortes”, tha Kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma.

“Në këtë rast edhe pronësinë e kompanisë tani është pronar gruaja. Një banesë që është blerë është në pronësi të gruas dhe pjesa tjetër është e bashkësisë familjare e babait”, tha Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi.

Drejtësia në Kosovë në shumë emisione dhe hulumtime ka dëshmuar se gratë kanë ende probleme që të jenë bashkëpronare në prona.

Pronë e përbashkët e bashkëshortëve – nënkupton pasurinë e krijuar gjatë jetës në martesë e cila regjistrohet si pronë e përbashkët, administrohet bashkërisht dhe nuk mund të tjetërsohet pa pëlqimin e bashkëshortëve.

Në bazë të këtij Udhëzimi Administrativ, autoritetet publike janë të obliguara që të zbatojnë masa të veçanta të përkohshme me qëllim të rritjes së numrit të grave të regjistruara si pronare të përbashkëta si dhe me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike midis burrave dhe grave në të drejtën pronësore.