Aktakuzë ndaj katër personave pas hulumtimit të ‘Drejtësia në Kosovë’

Dy vite pasi emisioni “Drejtësia në Kosovë” publikoi në dy seri hulumtimin e titulluar ‘Biznesi i Bombave’, Prokuroria Speciale, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën e Prishtinës, kundër katër të pandehurve me inicialet, A. A., B. K., Sh. Z dhe V. R., për veprat penale ‘Mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve’, si dhe ‘detyrimi, e mbetur në tentativë’

Përmes një komunikate Prokuroria Speciale ka njoftuar se i pandehuri A. A., më 25.05.2010, me qëllim të kërcënimit dhe frikësimit, në hyrje të lokalit të të dëmtuarit H. K, ka vendosur dy herë radhazi granata dore dhe bombola gazi,  ku njëra granatë ka shpërthyer pas mesnate dhe tjera granatë është gjetur e pa shpërthyer.

Sipas aktakuzës, A. A., më datë 07.09.2010, ka vendosur një granatë dore dhe një bombole gazi e të cilat kanë shpërthyer, dhe si pasojë kanë shkaktuar rrezikim të përgjithshëm për jetën e njerëzve, pasurinë e tyre si dhe janë shkaktuar dëme materiale në muret, dyert dhe dritaret e objektit aty pranë.

Me këto veprime i pandehuri i lartcekur ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.

Të pandehurit A. A., B. K., Sh. Z dhe V. R., më 25.05.2010, dhe më 07.09.2010, duke vepruar si anëtarë të grupit me qëllim që vetes apo personit tjetër t`i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, kanë kërcënuar rëndë të dëmtuarin, H. K., që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Aktakuza thekson se me datat e lartcekura i pandehuri A. A., në pronën e të dëmtuarit H. K., saktësisht në zyret e tij në Prishtinë, ka vendosur dy herë radhazi granata dore dhe bombola gazi i shtyrë nga të pandehurit B. K., Sh. Z. dhe V. R., krejt kjo me qëllim të kërcënimit dhe frikësimit që i njëjti të tërhiqet nga prona e tij e cila gjendet në fshatin Milloshevë në sipërfaqe prej 91 hektarëve e privatizuar nga AKP-ja. Sipas aktakuzës, i dëmtuari kishte 25% të sipërfaqes së përgjithshme të tokës, e që kjo përqindje është bazuar në marrëveshjen e bërë në mes të pandehurit B. K., dhe tani të dëmtuarit H. K. me këto veprime të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprën penale “Detyrimi”, e mbetur në tentativë.

Dy vite pasi “Drejtësia në Kosovë”, transmetoi emisionin, ‘Biznesi i Bombave’, Policia e Kosovës kishte arrestuar 4 persona dhe të njëjtit i kishte dërguar në mbajtje.

Katër personat dyshoheshin për vendosje të bombave në një lokal të Prishtinës dhe përkatësisht për ndihmë në këtë vepër. Prokuroria kërkonte paraburgimin e të dyshuarve për një muaj. Në kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit që e kishte siguruar KALLXO.com, përshkruhej se bazë e hetimit ishte përmbajtja e emisionit “Drejtësia në Kosovë” i datës 18 maj 2018.

Artan Avdullahu kishte rrëfyer ekskluzivisht versionin e tij në emisionin DNK se si i kishte hedhur bombat në një lokal në Prishtinë.

Ndërsa kërkesa për caktimin e paraburgimit e përshkruante atë si të dyshuarin kryesor që kishte hedhur bombat.

“Me datën 25 maj 2010 rreth orës 02;00 pas mesnatës afër PTK-së në lagjen “Dardania” në Prishtinë me qëllim të frikësimit dhe kërcënimit e i shtyrë nga të pandehurit Bekim Krasniqi dhe Shkelzen Zariqi e i ndihmuar nga i pandehuri Vedat Rexhepi, lidhur me një kontekste pronësor ka vendosur dy granata dore dhe një bombolë gazi në derën e zyrave të kompanisë “ITC” të të dëmtuarit Hajrullah Kryeziu”, thuhej në kërkesën e prokurorisë.

Dy të pandehurit e tjerë Shkëlzen Zariqi e Bekim Krasniqi në kërkesën për caktimin e paraburgimit përshkruheshin si dy të dyshuarit për shtytjeje në këtë vepër penale.

“Më datën 25 maj 2010 me qëllim të përfitimit material, lidhur në një kontekst pronësor, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike sociale të të pandehurit Artan Avdullahu e kanë shtyrë të njëjtin të vendos dy granata dore dhe një bombole gazi në derën e zyrave të kompanisë ITC”, shkruhej në kërkesën e prokurorisë.

I pandehuri i katërt, Vedat Rexhepi në kërkesën e prokurorisë përshkruhej si personi që e kishte ndihmuar Artan Avdullahun në vendosjen e bombave.

“Më datën 25 maj 2010 me qëllim të përfitimit material, lidhur në një kontekst pronësor, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike sociale të të pandehurit Artan Avdullahu, e ka ndihmuar të njëjtin që të vendos dy granata dore dhe një bombole gazi në derën e zyrave të kompanisë “ITC”, thuhej në kërkesën e prokurorisë.

Emisionet e plota të “Drejtësisë në Kosovë” mund t`i ndiqni duke klikuar në LINK