Foto: Facebook

Vetëvendosje Kritikon Ndërprerjet e Rrymës

Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar partitë në pushtet për problemin me mungesën e energjisë elektrike, për faturat sipas saj të papërballueshme për qytetarët dhe largimin e punëtorëve nga KEDS-i.

Për këto probleme dhe çështje të tjera ka folur në një konferencë për media deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Albulena Haxhiu.

Haxhiu tha se me këto probleme qytetarët po përballen që nga privatizimi i KEDS-it, më 2012.

“Në vitin 2012, aso kohe nga Qeveria Thaçi humbëm një aset publik si pasojë e privatizimit, pra Korporata Energjetike e Kosovës u privatizua me vetëm 26.3 milionë euro. Derisa po nënshkruhej kontrata famëkeqe e privatizimi jashtë dyerve të ndërtesës së Qeverisë u arrestuan deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje  dhe aktivistët politikë të cilët kundërshtonin privatizimin e KEK-ut”, tha ajo.

Albulena Haxhiu kujtoi se në atë kohë pushtetarët thoshin se do të ketë investime që do të garantonin furnizim të pandërprerë me energji elektrike dhe se nuk do të largoheshin punëtorët nga puna.

“6 vite pas po vërtetohet se të gjitha kanë qenë mashtrime”, theksoi ajo.

“Gjashtë vite pas privatizimit orët e ndërprerjeve të energjisë elektrike në të gjithë territorin e vendit nuk janë ulur, përkundrazi orët e ndërprerjeve janë rritur… Faturat e mospagimit, vjedhjet e energjisë iu shpërndanë paligjshmërisht çdo konsumatori që ka paguar në mënyrë të rregullt energjinë elektrike.. Komunat veriore ende nuk e paguajnë drejtpërdrejt energjinë. Atë KEDS, i drejtuar nga “LIMAK-ÇALIK”, ua faturon të gjithë shqiptarëve e të tjerëve në komunat e tjera të Kosovës”, theksoi Haxhiu.

Situata me përjashtimin e punëtorëve nga puna sipas Haxhiut është tepër shqetësuese. “Janë 95 punëtorë të përjashtuar në vjeshtën e vitit 2015 dhe 75 të tjerë të larguar në maj të vitit 2016”, shtoi ajo.

“Më gjithë këto probleme deri më tani nuk kemi dëgjuar asnjë përgjigje nga Qeveria për mungesën e energjisë elektrike, faturat e fryra dhe largimin e punëtorëve dhe ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi për mashtrimin dhe vendimin e paligjshëm të ZRrE-së i cili shpenzimet e qytetarëve serbë i faturon të qytetarët shqiptarë dhe komuniteteve tjera”, theksoi Haxhiu e cila ka shtuar së kjo Lëvizje qysh nesër do ta dërgojë kërkesën për interpelancë me kryeministrin Haradinaj për të dhënë sqarime për këtë gjendje të rënduar.

Edhe Naim Hoxha nga kjo Lëvizje në këtë konferencë ka bërë thirrje për kursim të energjisë elektrike dhe të hiqet dorë nga projekti sipas tij më i shëmtuar dhe më i fëlliqur – TC “Kosova e Re”.

“Kurrgjë ma shtrenjtë dhe ma pa kuptim nuk ka ndodh në këtë historinë 20 vjeçare të fundit se sa projekti Kosova e Re, nëse ka kuptim ndërtimi i këtij termocentrali sikurse ky i joni ka kuptim nëse ajo energji është me e lira e jo nëse është më e shtrenjtë se importi i energjisë elektrike”, tha Hoxha.