Vetëvendosje: Jemi komod të kandidojmë edhe vet

Zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu në një konferencë të mbajtur para gazetarëve ka deklaruar se ata besojnë se mund të ketë koalicion me LDK-në, mirëpo thonë se kushtëzimet që po vijnë nga LDK, po e zbehin mundësinë e arritjes së marrëveshjes.

Ai nuk ka treguar saktë se për çfarë kushtëzimet po bëhet fjalë.

Konferenca e Aliut është mbajtur pak orë pas përfundimit të takimit të Albin Kurtit me Isa Mustafën.

“Jemi duke punuar që të bëjmë koalicion. Një përpjekje të tillë se kemi ndalur prej kohës, po bëhet gati 1 vit bëhet.Për një përpjekje të tillë kushtëzimet janë të dëmshme, e dëmtojnë mundësinë që të ketë koalicion. Natyra e kushtëzimit mund të jetë problemi kryesor. Bisedat pa kushtëzime mund të sjellin marrëveshje. Kushtëzimet na zbehin besimin”, tha para gazetarëve ish deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu.

Në anën tjetër, ai thotë se Vetëvendosje është e gatshme që të kandidoj edhe si e vetme.

“LVV është mjaft komode që të kandidoj e vetme”, tha në mes tjerash Aliu.

Takimi i sotëm nuk do të jetë i fundit në mes të zyrtarëve të LVV-së dhe LDK-së. Aliu beson se takimet do të vazhdojnë edhe më tutje për të diskutuar mundësinë e arritjes së një marrëveshje koalicioni mes dy partive.

LDK dhe VV kanë diskutuar tash e një kohë për arritjen e një marrëveshje politike për një koalicion parazgjedhor, mirëpo nuk janë dakorduar për pozitën e kandidatit për kryeministër.

LDK e ka nominuar zyrtarisht Vjosa Osmanin si kandidate, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje pritet që ta nominojë Albin Kurtin.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve për koalicione parazgjedhore është të premtën, më 30 shtator ora 00:00.Deri më tani janë arritur dy koalicione parazgjedhore. AAK dhe PSD do të hyjnë në një listë të përbashkët, si dhe NISMA e AKR në një listë tjetër të përbashkët.