Konferenca e Vetëvendosjes

Vetëvendosje Do ta Çojë në Kuvend Projektligjin për Referendum

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar që gjatë kësaj jave do ta dërgojë Projektligjin për Referendum në Kuvendin e Kosovës.

Sot në ditën e Kushtetutës, Vetëvendosje ka organizuar konferencë për gazetarë në të cilën ka numëruar shkeljet e Kushtetutës.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, tha se Kushtetuta e Republikës së Kosovës që nga Pakoja e Ahtisarit, këtij shteti ia ka mohuar identitetin, demokracinë dhe sovranitetin.

“Kushtetuta e Republikiës së Kosovës si rrjedhojë e Pakos së Ahtisarit në nenin 1 të saj mohoi identitetin tonë kombëtar, pamundësoi demokracinë dhe mbivendosi misionin me fuqi ekzekutive, mohoi sovranitetin dhe integritetin territorial, mohoi gjyqësorin e pavarur dhe drejtesinë para ligjit dhe të drejtën në pronë”, tha Haxhiu.

Sipas saj, vendet e garantuara për serbët në Kuvend, e pamundësojnë ndryshimin pozitiv në Kosovë.

“Janë edhe 10 vende të garantuara për përfaqësuesit serbë, të cilat pastaj pamundësojnë çfarëdo ndryshimi pozitiv dhe kjo viteve të fundit është bërë edhe më e rëndë, sepse pjesë e Kuvendit është një subjekt politik i cili dirigjohet nga Beogradi e që e pamundëson funksionimin e Kosovës”, tha ajo.

Haxhiu përmendi edhe Projektligjin për referendum.

Ajo tha se gjatë kësaj jave do të dërgohet në Kuvend.

“Për të mbytur cfarëdo zëri qytetar ende nuk kemi pasrë asnjë iniciativë të asnjë qeverie për të proceduar në Kuvend Projektligjin për referendum. Ne si subjekt politik e kemi draftuar këtë projektligj dhe brenda kësaj jave do ta procedojmë në Kuvend të Kosovës Projektligjin për referendum”, u shpreh Haxhiu.

Ndërkaq, Sami Kurteshi i ka trajtuar disa shkelje të Kushtetutës me karakter politik.

“Do të trajtoj shkeljet që kanë karakter politik me të cilin preken gjithë qytetarët e Kosovës. Po filloj nga Kuvendi, të drejtat suplementare, privilegjet e deputetëve. Ju e dini se Gjykata Kushtetuese e ka kthy këtë ligj të Kuvendit sepse deputetët e Kuvendit kanë dashur që vetes t’i sigurojnë beneficione”, tha ai.

Sipas Kurteshit edhe miratimi i platformës së marrëveshjeve me Serbinë, miratimi i Ligjit për Gjykatën Speciale, zgjedhja e presidentëve Pacolli, Thaçi, miratimi i Demarkacionit me Malin e Zi, janë shkelje kushtetuese.