Foto: Xhelal Sveçla/Facebook

Sveçla bashkë me çiklistë në Bërnjak, mbajnë një minut heshtje te pllaka përkujtimore e Enver Zymerit

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, bashkë me disa anëtarë të grupit “Marakli t’Biciklave”, anëtarë të tjerë kabinetit qeveritar, policia e deputetë, kanë udhëtuar me biçikleta nga Bërnjaku deri te Tuneli i Mitrovicës. Rruga e përshkuar është 35.8 kilometra.

Ky organizim është bërë me ftesë të Federatës së Çiklizmit të Kosovës dhe grupit Marakli t’Biciklave. Bashkë me ministrin Sveçla, ishte edhe ministri Elbert Krasniqi, zv.ministrja Daulina Osmani, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe deputetja Fitore Pacolli.

“Gjatë tërë rrugëtimit mbizotëroi atmosferë sportive mes gjithë pjesëmarrësve çiklistë” – thuhet në njoftimin e ministrit Sveçla më 25.05.2024.

Në nderim të Heroit Enver Zymeri, në vendin ku ai ra dhe gjendet pllaka përkujtimore ata mbajtën një minut heshtje.

“Sakrifica e tij dhe Heroit Afrim Bunjaku dhe angazhimi i gjithë kolegëve të tyre, bënë të mundur që ne të shijojmë këtë aktivitet dhe bukuritë natyrore të Liqenit të Ujmanit dhe maleve përreth” – përfundoi Sveçla.

Polici Enver Zymeri ishte vrarë në veri të Kosovës, gjatë aksionit të Policisë së Kosovës më 26.07.2011, për marrjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31.