Raporti për sulmin në Banjskë: Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit

draft-raportin e prezantuar nga Lord Mark Lancaster në Asamblenë Paralmentare të NATO-së, më 25.05.2024, është folur edhe për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24.09.2023. Pika 51 e draft-raportit të Lancaster përmbledhë sulmin që ndodhi në Banjskë. Rreth 8 muaj pas sulmit, në këtë raport zyrtar thuhet se zyrtarët e KFOR-it kanë negociuar për tërheqjen e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës.

“Pas një periudhe të shkurtër të de-eskalimit gjatë verës, në shtator 2023, rreth 30 persona të armatosur u përleshën me Policinë në Banjskë, në veri të Kosovës dhe u barrikaduan brenda një manastiri ortodoks serb, duke rezultuar në një rrethim që vrau një zyrtar policor dhe tre sulmues. Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyjet përreth, ku ata u zhdukën. Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra më shumë luftëtarë ishin duke u fshehur në pyjet në mes Banjskës dhe kufirit serb dhe ata zbuluan një sasi të madhe armësh të afta për të shkaktuar dëme dhe viktima të konsiderueshme – duke përfshirë raketahedhës antitank, mortaja dhe granatahedhës, mina anti-tanke dhe 24 automjete (një e blinduar)” – thuhet në draft-raportin e prezantuar nga Lancaster.

Përveç prezantimit të raportit, Lordi Mark Lancaster u ka kërkuar konsensus të aleatëve të NATO-s për zgjerim, duke thënë se ata duhet të konsultohen për të avancuar statusin e Kosovës në këtë organizatë.

“Aleatët duhet të përdorin korniza konsultative për të avancuar çështjen lidhur me statusin e Kosovës. Ata që nuk e njohin statusin e Kosovës, mund të mendojnë pjesëmarrjen e Kosovës në NATO dhe në Partneritetin për Paqe” – tha ai gjatë Asamblesë Parlamentare të aleancës teksa prezantoi draft-raportin ku përmendet Kosova.

Në anën tjetër, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Hyseni në një deklaratë për Telegrafin konfirmoi se çështja e avancimit të statusit të Kosovës do të jetë në rend dite të hënën, më 27.05.2024 në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, punimet e së cilit sesion kanë nisur sot, më 25.05.2024 dhe do të vazhdojnë deri më 27.052024.

Hyseni në një prononcim për Telegrafin tha se delegacioni i Kosovës ka arritur të premten në mbrëmje në Sofje të Bullgarisë dhe do të merr pjesë në punimet tre ditore të sesionit pranveror të Asamblesë.

“Si rrjedhojë e vendimit të Komitetit të përhershëm drejtues të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i votuar më 24 mars të këtij viti, në favor të ngritjes së statusit të delegacionit të Kosovës, ju konfirmoj se çështja e tillë është në agjendën e punimeve të Asamblesë dhe për të pritet votimi me shumicën e deputetëve në Asamblenë Parlamentare të NATO-s më 27 maj” – tha ai.

Çka ndodhi dhe si u pasua sulmi në Banjskë?

Në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në fshatin Zveçan njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejtë brendësisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.

Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.

Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar. Pas informatave për shpërthimin, e të shtënat me armë e me mjete tjera ndaj policëve, njësi të tjera reaguese ishin nisur drejtë Banjskës.

Pamje të ndryshme të publikuara nga Policia e Kosovës, tregonin momente të kapura nga kamerat e vendosura në autoblindat e këtij institucioni deri sa grupi terrorist gjuante me armë të ndryshme drejt tyre. Pamjet e luftimeve mes grupit terrorist dhe policisë ishin publikuar më 01.10.2023 ndërsa ora tregonte 4 e tutje të mëngjesit.

Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd dhe ishte ndaluar për 48 orë.

“Për këtë nuk kam njoftuar askënd, as strukturat e pushtetit të Republikës së Serbisë, as në veri dhe nga ta nuk kam pasur asnjë ndihmë sepse deri në atë kohë kishim qëndrime të ndryshme të dallueshme sa i përket mbrojtjes nga terrori i Kurtit, pasi populli serb ka ofruar rezistencë ndaj terrorit të Kurtit shumë raste për zbutje dhe qetësim të situatës politike”- thuhet në letrën e Radoiçiq, që lexoi avokati i tij më 29.09.2024.

Ai nuk e bëri këtë në mënyrë publike dhe vet por me anë të një letre që e lexoi avokati i tij, Goran Petronijeviq. Madje në po të njëjtën letër ai tha se jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.

Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është lënë i lirë që të hetohet në liri ndërsa vazhdon të jetojë atje.

Më 06.12.2023, INTERPOOL kishte lëshuar fletarrestim për Millan Radoiçiq. Përveç, Millan Radoiçiqit, lista e personave të cilët kanë një fletarrest nga INTERPOOL, përbëhet edhe nga 19 persona të tjerë të cilët dyshohen për sulmin terrorist në Banjskë.

Sulmin terrorist në Banjskë e dënuan akterë të shumtë ndërkombëtarë e vendorë.

Përveç vrasjes së rreshterit Bunjaku, gjatë kundërsulmit nga ana e Policisë së Kosovës që u vendos në këtë fshat për të marrë kontrollin dhe situatën në dorë, u lënduan disa zyrtarë të tjerë policorë.

Deri më tani zyrtarisht nga grupi terrorist janë të identifikuar tre persona si të vrarë. Tre të tjerë janë të arrestuar. Të arrestuarit, Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq, gjenden në paraburgim.

Policia ka arritur që të ketë në dorë mbi 300 mijë prova në lidhje me sulmin në Banjskë. Këtë e tha në Kallxo Pernime më 23.10.2023, vet Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.

“Nga janari 2023 deri më 24 shtator [Millan Radoiçiq] ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzla, Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Ky është versioni i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për armët që u përdorën në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit që u bë ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, ku i vrarë mbeti rreshteri Afrim Bunjaku.

Kush është Millan Radoiçiq, lideri “në hije” i serbëve të Kosovës?