Emergjenca

Përfundon intervenimi, detaje nga QKUK për personin që iu amputua shuplaka e dorës së djathtë nga shpërthimi në Gjakovë

Gjendja shëndetësore e personit që mbeti i lënduar nga mjeti shpërthyes në Gjakovë është stabile, mirëpo ende mbetet e rëndë. Pas intervenimit ai është dërguar në Mjekimin Intensiv Qëndror në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Kështu ka njoftuar për KALLXO.com mjekja kujdestare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Dafina Basholli.

“Pacienti në fjalë është fut në sallën operative ku është intervenu në dorën e djathtë, shuplaka e djathtë dhe pjesët e nëngjurit në të dy anët. Tani është t’u u mjeku në Mjekimin Intensiv Qendror, gjendja është stabile, mirëpo ende është e rëndë” – ka treguar Basholli për KALLXO.com më 25.05.2024.

Sipas Bashollit, pacienti ishte trajtuar nga katër ekipe mjekësore, nga ekipi i kirurgjisë vaskulare, ortopedisë, kirurgjisë plastike dhe neurokirurgjisë. 

“Fillimisht nga mjekët emergjentë pacienti është reanimu, është stabilizu dhe pastaj është fut në sallën operative emergjente nga ekipi i kirurgjisë vaskulare, ortopedisë, kirurgjisë plastike dhe neurokirurgjisë” – ka treguar Basholli.

Sa i përket lëndimit të tij, Basholli ka thënë se intervenimi ka ndodhur në shuplakë të dorës dhe në ekstremitete.

“Është amputacion i shuplakës së djathtë, ndërsa dy pjesët e nëngjurit janë plagë të dëmtuara nga eksplosivi ku është intervenu” – ka thënë ajo.

Basholli ka shtuar se pas Mjekimit Intensiv Qendror, ku edhe ndodhet i lënduari, ai do të ketë trajtime të mëtutjeshme.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Prokurorinë e Gjakovës në lidhje me rastin. Zëdhënësi i Prokurorisë së Gjakovës, Drini Domi, ka thënë se personi i lënduar nuk është intervistuar ende për shkak të lëndimeve dhe trajtimit të tij në Spitalin Regjional të Gjakovës, e më pas në QKUK.

“Po ashtu lidhur me rastin konkret, Prokurori i Shtetit, në bashkëveprim me Policinë e Kosovës janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet lidhur me rastin” – ka thënë Domi për KALLXO.com më 25.05.2024.

Personi që u lëndua rëndë si pasojë e kontaktit me mjet shpërthyes në Gjakovë fillimisht është trajtuar në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës “Isa Grezda”.

Mjeku kujdestar në Spitalin e Gjakovës, Gjok Komani ka treguar se viktimës i është amputuar shuplaka e dorës nga mjeti shpërthyes dhe se i njëjti ka pasur lëndime edhe në ekstremitetet e poshtme.

“Lëndim nga një masë eksplosive që ia ka ataku shuplakën e dorës, e ka amputu, e ka këput në fakt, edhe ka pasë lëndim të ekstremiteteve të poshtme, nën gju të dy anëve. Në anën e djathtë ka qenë edhe frakturë e nëngjurit me lëndim të indeve të buta, kurse në anën e majtë ka qenë vetëm lëndim i indeve të buta, pa frakturë, pa lëndim, pa ataktim të kockave” – ka thënë Komani për KALLXO.com.

Komani ka njoftuar se në Spitalin e Gjakovës e kanë ekzaminuar të lënduarin dhe për shkak të mungesës së kirurgut vaskular e kanë dërguar në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm.

“Te na është reanimu, është ekzaminuar dhe është dërgu në ekzaminim shtesë diagnostifikues, me rentgen e me këto dhe është konstatu ato që thash më herët. Edhe ka marrë një dozë gjak dhe në mungesë të kirurgit vaskular, i cili në këto raste zakonisht konsultohet për arsye se mund të preket sistemi vaskular, është dërgu për Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm” – njoftoi Komani më 25.05.2024.

Lëndimet e rënda trupore si pasojë e kontaktit me një mjet shpërthyes të të lënduarit në Gjakovë i konfirmoi për KALLXO.com edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Sipas Elezajt, rasti ka ndodhur në fshatin Babaj Bokës dhe se për të ishin njoftuar rreth orës 11:15, më 25.05.2024. Ai ka njoftuar se ekipet e Policisë i janë përgjigjur rastit dhe i lënduari është dërguar për trajtim mjekësor.

“Rreth orës 11:15 jemi njoftuar se viktima mashkull i moshës madhore kishte pësuar lëndime të rënda trupore (dyshohet si pasojë e kontaktit nga mjet shpërthyes) në një fushë të hapur në fshatin Babaj Bokës-Gjakovë. Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit dhe viktima është dërguar me emergjencë për trajtim mjekësor” – ka thënë Elezaj.

Elezaj njoftoi po ashtu se janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për këtë rast.