Arbian Arifi nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, Foto: KALLXO.com

Pse nuk kanë të drejtë hotelet me ia ndalë qytetarëve kopjen e letërnjoftimit në Kosovë?

Ende ka paqartësi ligjore pë sa i përket ruajtjes së të dhënave personale të qytetarëve. Kështu ka thënë Arbian Arifi nga Agjencia për Informim dhe Privatësi në emisionin KallxoPërnime.

Arifi ka shtuar se përveç masave të sigurisë për ruajtjen e të dhënave personale që i aplikojnë, të njëjtat duhet t’i kenë edhe të shkruara.

“Pra duhet të jetë edhe një rregullore që çdo zyrtar ta ndjekë këtë. Ne si agjenci kemi një rregullore të brendshme e cila i obligon të gjitha institucionet që përpunojnë të dhëna t’i ndërmarrin masat teknike dhe organizative për sa i përket mbrojtjes së të dhënave, që nga përdorimi i USB-së deri tek masat më të mëdha” – tha Arifi.

Ai ka shtuar se evidentimi në vendin e punë me anë të gjurmëve të gishtërinjve është i ndaluar.

“Sidomos kur është përdor për evidentim në vendin e punës ajo është ndaluar menjëherë sepse nuk është masë profesionale” – tha tutje Arifi nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Zyrtari i Agjencisë për Informim dhe Privatësi ka shpjeguar se u kanë dërguar shkresa institucioneve publike për t’ua bërë me dije se nuk kanë të drejtë të ndalin kopjen e letërnjoftimeve të qytetarëve në recepsion.

“Pra letërnjoftimi shërben për identifikim, a jam unë Arbian Arifi, nëse jam, i merr shënimet të cilat ligji i përcakton që mund t’i marrësh dhe vazhdon qytetari ku ka me shku” – ka potencuar Arifi.

Zyrtari i AIP-së, Arbian Arifi, ka përmenduar edhe një shqetësim të qytetarëve sa i përket hoteleve e për të cilën edhe kanë bërë inspektime.

“Në hotele deri tash pos pagesës e kanë bërë ndaljen edhe të kopjes së letërnjoftimit qoftë qytetarë i huaj, qoftë i Republikës së Kosovës. Ne këtë praktikë e kemi ndalë për shkak se mos me i dhënë të drejtë që mos me u keqpërdorë. Arsyetimi i këtyre hoteleve ka qenë që mos me ndalë klientin me prit shumë por qëllimi ka qenë që pos qytetarëve tonë t’i mbrojmë edhe ata europianë për shkak se rregullativa europiane për mbrojtjen e të dhënave personale mund të gjobis një institucion në Kosovë përmes ligjeve të Europës” – ka shpjeguar Arifi.